Daily Mail ka bërë një dokumentar ku përshkruhet se si bandat shqiptare kanë marrë nën kontroll furnizimin me drogë nga Ekuadori drejt Europës Perëndimore. Gazetari Stephen Wright është takuar me një anëtar të bandës ekuadoriane “Mbretërit Latinë” ku ka mësuar më shumë se si funksionon krimi atje.
“Ishte një lehtësi për mua, kur Junior, pasi kështu do ta thërrasim atë (anëtarin e bandës), më informoi me mirësjellje se kishte vendosur që të mos e merrte armën me vete sot”, shkruan gazetari.
Junior është ndihmës i Carlos “Djallit”, drejtuesi i bandës famëkeqe kriminale të Amerikës së Jugut, “Mbretërit Latinë”.
Kjo e vendos atë në qendër të një sipërmarrjeje krimi me mafian shqiptare për të trafikuar dogë përmes kanalit panamez dhe oqeanit Atlantik për ta dërguar më pas lëndën narkotike në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë.
Junior theu kodin e heshtjes së mafias për të përshkruar se si bandat shqiptare operojnë.
Daily Mail shkruan se ka ekspozuar se si “kapot” shqiptarë kontrollojnë çdo aspekt të trafikut të drogës, në një treg që në Britaninë e madhe shkon në 2 miliardë Paund. Anëtarët e bandave kriminale shqiptare nisën të shkojnë në Ekuador rreth 10 vite më parë. Në këtë periudhë Presidenti i krahut të majtë Rafael Correa sapo kishte vendosur se të huajt mund të qëndronin për 6 muaj pa vizë. Për pasojë ai po u hapte derën narkosve shqiptarë, për të cilët ishte një mundësi e mirë.
“Ky vend i varfër kufizohet me dy shtete që janë pika kryesore të prodhimit të kokainës, Kolumbinë në veri dhe Perunë në jug. Po ashtu ka një vijë bregdetare prej 2092 kilometrash ndërsa edhe korrupsioni edhe ryshfeti janë të përhapura, veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe ushtri. Po ashtu, atje ka lehtësi në aksesin e armëve dhe furnizimin me vrasës me pagesë, disa prej të cilëve e nisin këtë punë që nga mosha 12-vjeçare”, shkruan Daily Mail.
Bosët shqiptarë shfaqen si biznesmenë dhe investitorë duke përdorur identitete false. Ata marrin me qira shtëpi të shtrenjta, me siguri të lartë dhe e kalojnë kohën në palestër ose restorante apo hotele të shtrenjta. Shumica e tyre janë vendosur në Guayaquil. Sipas Byrosë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve të SHBA-së, ky qytet është një nga qendrat logjistike për kokainën që shkon në Europë dhe pjesën tjetër të botës.
Ndërkohë sipas Daily Mail, Zyra për Krimet dhe Drogat në OKB konfirmon se zinxhiri i furnizimit, i dominuar dikur nga bandat e vogla po ndryshon me organizatat nga Ballkani që janë duke rritur përfshirjen në trafikim dhe furnizim.
“’Mbretërit Larinë’ në Guayaquil trafikojnë drogë që e ka origjinën nga Kolumbia dhe Bolivia. Kokaina shkon përmes kontejnerëve nga Ekuadori drejt Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Personi në krye që punon me shqiptarët është Carlos “Djalli”. Personat që punojnë në porte paguhen për të ndihmuar bandat kriminale. Ka punëtorë të korruptuar në një kantier privat të quajtur Contecon. Ata që janë në krye të detyrës për të kyçur dhe shkyçur kontejnerët blihen me ryshfet. Po ashtu edhe stafi i sigurisë që është për të vëzhguar kamerat. Çmimi i kokainës është 28 mijë Dollarë për kilogramë. Ndonjëherë futen në një kontejner 300 kilogramë, kështu që bëhet fjalë për shuma të mëdha parash”, tha Junior.
Ai po përpiqet që të largohet nga jeta si kriminel.
“Carlos punon me shqiptarët të cilët jetojnë në Guayaquil. Ndonjëherë takohen në Qendrën Tregtare “Del sol” ose në qendra të tjera. Ata janë përgjegjës për mallin dhe vlerën se sa (kokainë) do të dërgohet… Shqiptarët japin paradhënie për dërgesat e drogës, saktësisht gjysmën e shumës. Shqiptarëve nuk u pëlqen të të përshëndesin kur janë jashtë kësaj pune. Në një rast një shqiptar më tha: Nëse më sheh ndonjëherë jashtë këtij takimi, nuk më njeh. As mos më shiko fare”, tha Junior.
Junior thotë po ashtu se ata janë eficentë, por të pamëshirshëm.
“Sapo mbaron punë me një shqiptar nuk dëgjon më për ta deri në dërgesën tjetër. Nëse dështon, ata të vrasin”, tha ai.
Ndërkohë sipas zyrtarëve të Doganave në Ekuador ka katër mënyra që përdorin trafikantët në porte.
Një prej tyre është hapja e një kompanie, metodë e përdorur nga shqiptarët, të cilët e krijojnë vetë ose blejnë një biznes ekzistues për të fshehur kokainën përpara transportit. Një tjetër teknikë është hapja e kontejnerëve që janë me produkte të ligjshme dhe aty fshehin kokainën. Pastaj i vulosin me vula false dhe kur ngarkesa mbërrin në Europë, droga merret nga bandat e tjera që operojnë në vendin pritës.
Shumica e kontejnerëve që nisen nga Guayaquil shkojnë në Antwerp të Belgjikës dhe Roterdam të Holandës. Po ashtu, stafeve aty u ofrohen shuma parash për “të mbyllur një sy”. Nga aty droga hyn në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve në Portsmouth, Tilbury, Harwich, Immingahm dhe Hull.
Zëdhënësja e Ministrisë së Financave në Belgjikë, Florence Angelici tha se në fund të vitit 2022 në portin e Antwerp-it pati rekord sekuestrimesh të kokainës. U gjet aq shumë drogë në Dhjetor të atij viti saqë zyrtarët e pagëzuan si “Krishtlindjet e bardha”.
“Ata mund ta vendosin kokainën në çdo lloj kontejneri, në lodrat e seksit, ushqimet për qentë, madje e përziejnë dhe e ndajnë më vonë. Europa është shumë atraktive për trafikantët. Çmimi këtu është më i lartë se në SHBA ku fentalina është droga kryesore që zgjedhin”, tha Angelici.
Ndërsa Junior mohoi që të tregonte emrin e ndonjë shqiptari me të cilin ka punuar në Ekuador. Daily Mail shkruan se një prej bosëve shqiptarë atje njihet me emrin “Mr. Big” dhe shtron pyetjen nëse ky person është Dritan Rexhei, i njohur si “Mbreti i Kokainës”.
“Junior nuk tregoi kush ishte “Mr. Big“, por pashë terror në sytë e tij sapo përmenda emrin e Rexhepit, një ish-student drejtësie, tashmë në të 40-tat, dhe që ka grumbulluar një pasuri shumëmilionëshe nga tregtia e paligjshme e drogës”, shkruan gazetari i Daily Mail, Wright.
Sipas tij, Rexhepi edhe pse i dënuar me 13 vite burg u lirua herët, por kurrë nuk e ndaloi biznesin. Nga qelia e tij e burgut në kryeqytetin Quito, Rexhepi dyshohet se përdori një telefon celular të koduar për të krijuar një ‘federatë transnacionale të krimit’ të trafikantëve shqiptarë të drogës të njohur si Kompania Bello.
“Rexhepi besohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e një njeriu të pafajshëm pasi një bandë rivale shqiptare dyshohet se vodhi kokainë me vlerë miliona Paund, të cilën ai e kishte kontrabanduar në Portsmouth në një anije kontejneri plot me banane”, shkruan Daily Mail.
Tashmë, koka e krimit është zhdukur nga radarët në Ekuador. Sipas gazetarit britanik, Rexhepi ka krijuar një lidhje me një grua ekuadoriane me të cilën ka një djalë, dhe kjo e ka lejuar që të aplikojë për kombësinë ekuadorine. Nëse e ka arritur këtë, ai nuk mund të ekstradohet në Europë.
Në Shqipëri, Rexhepi është burgosur për 25 vjet në mungesë për dy vrasje. Po ashtu, ai kërkohet në Itali dhe Belgjikë dhe ka disa identitete.
Lëvizjet e tij shikohen me interes të lartë nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani. Edhe në këtë shtet, Rexhepi është në listën e personave më të kërkuar dhe mendohet se ka lidhje në Londër, Bedforshire dhe Northamptonshire.
Sipas Europol-it, ajo që e dallonte sindikatën e Rexhepit nga të tjerët ishte mënyra në të cilën kontrollonte të gjithë zinxhirin e furnizimit, që nga marrja e kokainës për eksport, tek shpërndarja me shumicë dhe deri te shitja në rrugët e qyteteve në Europë.
Autoritetet ekuadoriane janë të pasigurt kur pyeten për vendndodhjen e “Mbretit të kokainës”. Zyrtarisht, ai supozohet të firmosë në polici dy herë në muaj pas lirimit me kusht, por sipas Daily Mail, dyshohet se dikush tjetër po e bën këtë në emër të tij. Shefi i kundër narkotikëve, Gjenerali Pablo Ramirez tha se po hetohet partnerja e Rexhepit, e cila po bën vazhdimisht udhëtime në kryeqytetin kolumbian, Bogota.
“Dyshojmë se mund të jetë duke kryer aktivitet të paligjshme përmes partneres së tij”, tha gjenerali.
Ekuadori është një vend ku jeta është e lirë. Sipas Daily Mail, shifra që mund të paguajnë bandat për të vrarë një gjyqtar shkon deri në 5 mijë dollarë. Daily Mail është takuar edhe me një prokuror që i ka mbijetuar pesë atentateve nga mafia. Ky prokuror, identiteti i të cilit nuk është bërë publik tha se ka punuar në disa raste ku përfshiheshin shqiptarë dhe shtoi se njëherë u sulmua nga kriminelët pasi kapi 3 tonë dogë. Një prej kolegëve të tij, Edgar Escobar, u qëllua për vdekje jashtë zyrës së Prokurorit të Shtetit vitin e kaluar.
“Në vitin 2014 më shumë se 20 shqiptarë u burgosën për krim të organizuar. Në atë rast, rrënjët e tyre në Guayaquil u shkatërruan. Por ata ende vijnë në mënyrë klandestine dhe paraqiten si tregtarë të korporatave. Shumica e shqiptarëve janë të afërm, janë familjarë. Vëllezër, kunetër, kushërinj. Shqiptarët zakonisht nuk vrasin vetë. Ata punësojnë kriminelë, vrasës serialë që ta bëjnë këtë. Janë kokat pas krimeve. Disa javë më parë u hapën disa fletushka në rrugë ku thuhej se për një prokuror ose gjyqtar të vdekur paguheshin 5 mijë Dollarë, 4 mijë Dollarë për një polic dhe 2 mijë Dollarë për një ushtar”, tha prokurori.
Sipas këtij prokurori, shqiptarët janë në luftë të vazhdueshme me kartelet meksikane.
“Nëse një shqiptar guxon të dërgojë drogë në Shtetet e Bashkuara, i cili është territor meksikan, menjëherë vritet. E njëjta ndodh edhe me një meksikan, nëse përpiqet që të dërgojë drogë në Europë. Ata kanë rregulla. Ka dy arsye pse një shqiptar vritet. Ose sepse dështoi dërgimi i ngarkesës sepse u kap nga policia, ose sepse pushtojnë territor”, tha ai.
Edhe Junior, gangsteri që pranoi të fliste për Daily Mail tha se “Mbretërit Latinë” sigurojnë mbështetje logjistike për shqiptarët. Ai tha se është paguar 100-500 dollarë për kilogramë.
“Në ngarkesën e parë më paguan 100 dollarë për kilogramë. Bëra 4000 dollarë. Ekipi i trafikantëve përbëhet nga 20 deri në 25 persona Ata e ndajnë fitimin mes të gjithëve ne”, tha ai.