Aktualitet “Po e dorëzova më në fund”, Ardi Veliu jep dorëheqjen nga Agjencia...

“Po e dorëzova më në fund”, Ardi Veliu jep dorëheqjen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen nga posti drejtues i Agjencisë Mbikëqyrëse Policore.

Lajmin e konfirmoi personalisht vetë për Euronews Albania, Veliu, i cili deklaroi se: “Po e dorëzova dorëheqjen, më në fund”.

Por përse u largua?

Aludimet janë të shumta, por publikisht dy gjëra dolën qartë. E para ishte tre muaj më parë, kur u prezantua Taulant Balla në krye të ministrisë së Brendshme.

I bëri një pyetje publike, ballë për ballë. “Pyetja ime është; sa drejtues e shefa komisariatesh janë kapur deri më sot më “presh në duar”?

Ardi Veliu uli kokën. Javët në vazhdim sollën disa goditje, por Veliut i doli emri në dosjen e SPAK-ut për investitorin strategjik të qeverisë Rama, Pëllumb Gjoka.

Nga dosja rezultoi se Ardi Veliu ishte në dijeni të aktivitetit të paligjshëm të Pëllumb Gjokës me lojërat e fatit, por pavarësisht kësaj, nuk urdhëroi të merreshin masa.

Kjo doli nga transkriptet e ardhura nga Franca ku Oltion Bistri, në atë kohë shef i operacionale, që flet vazhdimisht me biznesmenin Pëllumb Gjoka.

Kjo konfirmohet nga biseda që Oltion Bistri bën me Gjokën. Shefi i Operacionales i thotë “S’do as Ardi se i thashë. Bile dhe për këtë me çau… I thashë e lë punën se i kam dhënë llafin dhe se heq”.

Veliu është vënë në krye të AMP-së në 2 shtator të vitit të shkuar pasi u lirua nga detyra e zëvendës Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës.

Më herët ai ka mbajtur edhe postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.