Cilët janë “të zemëruarit” me Ramën , nga ish-miqtë e tij nervozë që duan favore e sajdisje, tek pronarët e mediave që bëjnë të revoltuarin nga vilat luksoze të ngritura me paratë e flirtimit me politikën. A është beteja politike me Ramën, ajo që duhet të bëjnë sot “të zemëruarit” për kazanin? Apo beteja për rikthimin e vlerës së Fjalës dhe analiza e pyetjes: Pse publiku shqiptar nuk beson më tek mediat?
Nga Bedri Islami
Një diskurs i shefit të qeverisë Edi Rama për mediat zgjoi demonët e fjalës. Në të vërtetë asgjë nuk ishte e re në fjalën e tij, madje kishte rënë disi ai toni i ashpër, disi nëpërkëmbës dhe përçmues i Ramës ndaj botës së mediave, të cilën ai shpesh herë, e përmbledh në një kazan mediatik.
Kundër fjalës së Ramës u ngritën analistë, gazetarë, portale, shefi i opozitës dhe opozitarë të tjerë. Do të vazhdojnë të bëhen debate, do të hapen rrjedha të tjera, por nuk është bërë dhe me sa shihet nuk ka për t’u bërë ende pyetja e vetme e duhur: A kanë më vlerë fjalët tona?
Pra, a ka vlerë ajo që përcillet në media, sa është e besueshme ajo, pse njerëzit po largohen gjithnjë e më tepër nga ajo që është thënë në media; përse ka një largesë të besimit ndaj fjalës, deri në absurdin e pamenduar më parë?
Në të vërtetë, edhe pa fjalën e Edi Ramës, që është vetë një njeri i medias, fjala po bie gjithnjë e më tepër në vesh të shurdhër. Njerëzit po largohen nga fjala, sepse prej shumë kohe nuk e besojnë më atë.
Në median e shkruar apo vizive, në portale e debate pa fund, në këto vite, vrullshëm, janë hedhur aq shumë akuza e kundërakuza, janë bërë përleshje mediatike të pangjara, faktet janë marrë si letër higjienike dhe të rremet janë sjellë si të vërteta.
Sikur në një të dhjetën e saj të kishin ndodhur në një vend të Bashkimit Evropian, do të ishte bërë qameti, do të ishin mbledhur me urgjencë prokurorë e hetues, çështjet do të shtroheshin deri në nivelet më të larta të shtetit dhe, deri sa gjërat të zbardheshin plotësisht, askush nuk do të ishte i qetë. Dhe, pas tyre fjala do të mbetej e besuar. Tepër e besuar.
Sepse askush nuk guxon t luajë me fjalën, pas së cilës është një fat njeriu, një jetë, e cila nuk mund të shkatërrohet vetëm se ashtu ia do qejfi dikujt në media apo politikanit X që të ka premtuar mbështetje financiare kur të vijë në pushtet e kujtdo tjetër që herë tinzisht e herë haptas e shkel si pa të keq vijën e kuqe të besimit publik.
Mëria që pushton një pjesë të mediave pas diskursit të Ramës do të ishte e natyrshme, nëse vetë ajo do të ishte e përgjegjshme dhe shefi i qeverisë i papërgjegjshëm. Ndodh e kundërta. Ne ia japim vetes të drejtën ta shpallim atë vjedhës, i droguar, kriminel, bandit, drejtues bandash,…nuk më vijnë ndër mend sharjet e pafund ndaj tij, dhe, ndonëse nuk hedhim as një investigim për atë që akuzojmë, jemi të qetë, biem të flemë rehat, sepse askush nuk do të merret me ne. Arsyeja: shtypi i lirë, media e lirë, fjala e lirë.
Po le të marr një shembull hipotetik. Njëri ndër linçuesit e Ramës është një ndër miqtë e tij të dikurshëm, Zheji. I mençur është. Ramën e ka lakuar në të gjitha krimet dhe në të gjitha rasat. Gjithnjë pas një mburoje…ka zëra se…ka të dhëna se… mendohet se…Duke hipotekuar, sipas kësaj tradite, të marr guximin e të them se, për shembull , ka zëra se Zheji ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka abuzuar rëndë me fondet kur ishte drejtor i Përgjithshëm i RTSH, dhe nuk e di nëse ka qenë e vërtetë…
Po sikur, edhe ai, një ditë të bukur të thotë për ish shefin e tij, Çili se, ka qenë kështu e ashtu…po sikur në këtë valle të futen të gjithë ata që nga miqësia e dikurshme me Ramën janë kthyer në armiqtë e tij, dhe këtë fjalë, armiq, nuk e përdor në vend të fjalës kundërshtar, sepse kundërshtarë nuk janë…çfarë do të ndodhë.
Nuk e besoj se ka ndonjë ndjekës të programit Opinion, që nuk e di, ende pa filluar programi se çfarë do të thonë Marku, Fahriu, Hoxha, Zogaj, apo ndonjë analist i “krahut tjetër“. Nëse dihet që pa nisur, atëherë cila është vlera e fjalës?!
Nëse kaq shumë ngjiremi për një diskurs, më shumë politik se sa medial të Ramës, pse heshtim kur pronarë të mediave, edhe pasi kanë fituar miliona nga qeveria nuk i paguajnë gazetarët e tyre, kur shkelen të gjitha rregullat e etikës dhe profesionit, kur ende nuk ka një përkufizim të qartë kush është gazetar e kush jo në morinë e fytyrave që gëlojnë ekraneve, etj etj
E cilët u zemëruan më shumë me fjalën e shefit të qeverisë? Dy palë:
Ish – miq të tij të ngushtë, me të cilët ai ka qenë dikur pjesë e lirisë së mediave dhe tani, ndoshta nervozë a xhelozë për rrugën që ndoqi miku i tyre i dikurshëm, u bënë të kundërtit e tij. Shfaqen të zemëruar edhe ata që mund të quhen bosët e mediave, që, ndryshe nga kolegët e tyre, njohin vetëm majën e asaj që është arritur përmes përkuljes së fjalës dhe shkatërrimit të besimit ndaj saj. Këta zemërohen apo bëjnë sikur zemërohen nga vilat luksoze.
Ajo me të cilën duhet të merren këta njerëz të medias, nëse duan vërtet të merren me atë që ka rëndësi është drama e fjalës, fakti që publiku nuk po e beson më median. Kur të rifillojnë të na besojnë nuk ka shef qeverie, që mund të thotë se media është kazan mediatik.
Kur abuzon me të drejtën, ajo kthehet kundër teje, është njëri ndër ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe ndoshta pikërisht nga kjo fillesë e respektit ndaj fjalës duhet nisur për të thënë atë të vërtetë, të saktë dhe pa dhimbje, e cila të besohet nga njerëzit.
Shteti shqiptar ndërkohë duhet të ketë një ligj të saktë se ku është liria jote, qoftë si gazetar, qoftë si njeri, dhe ku mbaron ajo, dmth ku cenon lirinë time.
Ditë më parë, një mik i imi vjenez, njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, më pyeti përse shkruaj herë pas here tek DITA. Cili ishte shkaku? Ka vetëm një arsye, i thashë. Asnjëherë nuk i kanë ndërprerë apo, ruana zot, ndryshuar shkrimet e mia. Dhe, pikërisht pse ka ndodhur kështu, jam i pranishëm. / Gazeta Dita