Kryesore “Po fshehin tentimin e vrasjes së deputetëve”, PD: Video e publikuar nga...

“Po fshehin tentimin e vrasjes së deputetëve”, PD: Video e publikuar nga Policia, mashtrim

Pas akuzave të ngritura nga deputetët e opozitës në protestën e së enjtes pranë godinës së Kuvendit, se një efektiv i policisë tentoi të nxjerrë armën ndaj deputetëve, Policia e Shtetit reagoi me një deklaratë.

Në deklaratën e policisë theksohet se efektivi ishte me spray në brez, jo armë.

Por Partia Demokratike ka reaguar ndaj policisë duke thënë se po tentohet të fshihet tentativa e vrasjes së deputetëve.

Sipas PD, në video tregohet qartë se bombola e gazit është në pozicionin e brinjës, ndërsa pistoleta poshtë saj.

“Garda nxjerr pistoletën në drejtim të deputetëve të opozitës. Video e publikuar nga Policia mashtrim. Pamjet hedhin poshtë dizinformimin e shpërndarë në media.

Policia e Shtetit ka shpërndarë një video ku tenton të mbulojë aktin e rëndë të gardistit  i cili i drejtoi armën dy deputetëve të opozitës, Luan Baçi dhe Bledion Nallbati. Në një video e cila i është shpërndarë medias nga vetë Policia, tregohet qartë se bombola e gazit është në pozicionin e brinjës ndërsa pistoleta poshtë saj.

Kjo hedh poshtë mashtrimin e policisë për të fshehur një tentim vrasje të deputetëve të opozitës”, deklaroi selia blu.