Është arrestuar mbrëmjen e kësaj të mërkure Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja.
Mësohet se Ramaza Rraja është kapur në një lokal pranë Urës së Gjoles, në krahun e majtë të rrugës nacionale Vorë-Fushë Krujë, teksa ka qenë duke ngrënë iftar bashkë me disa besimtarë të tjerë myslimanë. Sipas gazetarit Artan Hoxha, Rraja nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave speciale.
Ramazan Rraja ishte shpallur në kërkim nga SPAK ku akuzohej si i përfshirë në atentatin e ndodhur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut, ngjarje ku humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Gjithashtu, në muajin shkurt, Ramazan Rraja u dënua me 12 vite burg nga drejtësia belge, ku akuzohej si pjesë e një grupi kriminal shqiptaro-letonez, me rrezikshmëri të lartë, që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.
Ramazan Rraja është një emër i njohur i botës së krimit, ku është aluduar si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale.