Politika “Po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit si çakejtë”, Berisha sulmon socialistët: Regjimi, buzë...

“Po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit si çakejtë”, Berisha sulmon socialistët: Regjimi, buzë varrit

Sali Berisha tha se Partia Demokratike dhe ajo Socialiste dallojnë nga njëra-tjetra për faktin se, ndërsa në PD kanë respekt për njëri-tjetrin, në PS “po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit”.

Në një takim me degën e Partisë Demokratike në Kamëz, ku uroi që 2025-a të jetë viti i opozitës shqiptare, Berisha tha se në tre vitet e fundit, PD i rezistoi një sulmi që sipas tij ishte më i papari ndonjëherë.

“Po bëhej gjithçka që Edi Rama të kishte çdo pushtet në Shqipëri, përfshi opozitën. U përdorën të gjitha format, por ja ku jemi sot, më të bashkuar se kurrë, më të fuqishëm se kurrë, më të fortë se kurrë, më të mbështetur se kurrë më parë. Ju me dhjetëra qindra herë në takimet dhe mbledhjet tuaja denoncuat vjedhjet e paimagjinueshme të buxhetit dhe pasurive publike shqiptare nga qeveria. Ju denoncuat shndërrimin e procesit zgjedhor në një farsë zgjedhore. Ju denoncuat shkrirjen në një të krimit dhe pushtetit. Ju denoncuat tradhtinë kombëtare ndaj interesave shqiptare të Edi Ramës”, tha Berisha.

“Sot këto nuk janë më vetëm denoncime tuajat, por sot janë tre rezoluta ndërkombëtare, njëra prej të cilëve e firmosur nga 108 parti politike të qendrës së djathtë, tjetra nga 85 parti, të cilat i thonë mbarë botës se Shqipëria është një narkoshtet, se Shqipëria është vendi i narkodiktaturës me burgje dhe të burgosur politikë, se Shqipëria është vendi i farsës zgjedhore dhe i monizimit, se në Shqipëri shteti dhe krimi janë binom i pandarë, se në Shqipëri, korrupsioni ka rrokur qiellin dhe nuk përmbahet. Pra miq, qëndruat dhe rezistuat për 3 vite. Por sot regjimin e keni sjellë buzë varrit. Po. Sot, në qoftë se ne jemi të bashkuar në respekt të plotë të mendimeve të njëri-tjetrit, ata po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Ata kanë një përballje si çakejtë kundër njëri-tjetrit dhe gjuajnë njëri-tjetrin me krimet që kanë kryer vetë. Kurse ne kemi përgatitur platformën me të cilën do të ulemi të bisedojmë me çdo qytetar të këtij vendi”, tha Berisha.