Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Iballë të Pukës. Siç bën me dije policia, një 34-vjeçar ka humbur jetën teksa i jepte makinës për t’u kthyer në shtëpi.
Mësohet se familjarët e të riut kishin njoftuar në polici se kishin humbur kontaktet me të që prej ditës së djeshme. Fatkeqësisht, trupi i të riut u gjet rreth 50 m poshtë rrugës ku ka ndodhur aksidenti.
“Mëngjesin e sotëm, familjarët e shtetasit G.K, 34 vjeç, banues në fshatin Berishë, kanë njoftuar Policinë se kishin humbur kontaktet me shtetasin G.K, që prej mbrëmjes së datës 28.09.2024. 34-vjeçari ditën e djeshme kishte shkuar në fshatin Iballë dhe në mbrëmje kishte njoftuar familjen se po kthehej për në banesë. Gjatë kontrollit të rrugës paraditen e sotme, në vendin e quajtur “Laku i Qershisë”, në një rrugë dytësore që të çon në lagjen Bullicë të fshatit Berishë, rreth 50 metra poshtë rrugës është gjetur i pajetë shtetasi G.K. Dyshohet se shtetasi G.K, duke u kthyer me automjet për në banesë, si pasojë e motit të keq ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njoftoi policia.