Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për rastin e inspektorit të policisë Redin Çaushaj i cili u plagos rëndë mbrëmjen e djeshme.
Në një postim në Facebook, Balla thotë se Redini po lufton me jetën në Reanimacionin e spitalit të Vlorës.
Ministri i kërkon Prokurorisë së Vlorës një hetim të plotë mbi ngjarjen, duke shtuar se kushdo që cenon jetën e një punonjësi policie kryen një krim të rëndë ndaj shtetit.
“Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin. Redin Çaushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm.
Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin. Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje. Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacioin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit”, thotë Balla.
Inspektor i Policisë në Lukovë u plagos pasi ndërhyri për të zgjidhur një konflikt mes dy personave në fshatin Pilur.
Rreth orës 23:00 të së martës, punonjësi i policisë i cili ndodhej jashtë orarit të shërbimit teksa kalonte në rrugë pikasi dy persona që po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.
Tentativa e tij për të ulur tensionet dështoi pasi 60-vjeçari me inicialet TH.M e goditi me thikë dhe u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa u arrestua pas tetë orë kërkimesh.