Kreshnik Kukeli rrezikon të dënohet sërish për përndjekje. Ai sërish mbahet nën masën me burgim sipas denoncimit të ish të dashurës, të cilën ai e ndiqte pavarësisht se historia e tyre kishte shtatë vite që ishte mbyllur. Gazeta “Si” disponon dosjen e dorëzuar në gjykatë, në të cilën prokuroria kërkon marrjen si të pandehur të 36-vjeçarit, i cili ishte kthyer në një personazh të njohur jo vetëm për familjen e vajzës, por edhe për policinë dhe tanimë edhe për gjykatat.
Së fundmi, 36-vjeçari u arrestua në prill të këtij viti. Prokuroria nënvizon në kërkesën e saj ku ka dorëzuar si të pandehur Kukelin, se i riu ka pasur një lidhje sentimentale para shumë vitesh me një vajzë, një lidhje e cila ka marrë fund prej kohësh. Por, sapo i dyshuari ka mësuar se ajo është fejuar, ai ka nisur ta ngacmojë e t’i vihet pas. I riu përshkruhet nga ish e dashura si një i papunë që nuk bënte asgjë tjetër prej vitesh, veçse e ndiqte dhe vëzhgonte atë. Ndërsa, ajo që prej ndarjes, kishte përfunduar fakultetin, kishte gjetur një punë, ka vazhduar jetën duke krijuar një njohje të re që është finalizuar në altar. Por sa më shumë ka ecur vajza përpara, aq më shumë ish i dashuri i është qepur pas, duke iu kthyer në ankthin më të madh të jetës, jo vetëm asaj, por edhe të motrës, së cilës në një rast i ka thyer nofullat kur e ka goditur me grusht.
Para se të vishej me fustanin e bardhë
Sara ishte ankuar disa herë në polici së bashku me të motrën. Së fundmi, kupa u mbush. Në muajin mars, 27-vjeçarja do nisej për të shpërndarë ftesat e dasmës. Përpara i doli sërish i-shi. Ajo rrëfen:
Sara: Dola nga shtëpia, do ikja në Durrës të shpërndaja ftesat e dasmës. Një person më goditi nga pas me biçikletë. Një moment kthehem dhe shikoj. Ishte Kreshnik Kukeli, me të cilin kam pasur një lidhje para tetë vitesh dhe kam shtatë vite që jam shkëputur prej tij. Kam vazhduar jetën dhe jam fejuar. Në muajin prill martohem. Gjatë këtyre shtatë viteve që jam shkëputur nga ai kam qenë vazhdimisht e kërcënuar, ka pasur raste edhe ditë për ditë. Ka përdorur edhe dhunë fizike ndaj meje, por edhe ndaj familjarëve të mi.
Në dosjen që Gazeta “Si” disponon përmendet se vajza ka dorëzuar një kallëzim në vitin 2013, atëherë kur i ka hyrë në shtëpi dhe e ka dhunuar. Kallëzimi tjetër dorëzohet në polici në dhjetor 2014, në të cilin edhe atëherë kallëzuesja shprehet e shqetësuar për përndjekësin, pasi ai e telefononte pambarimisht. Megjithatë, çështja për të cilën Kreshnik Kukeli gjendet tanimë nën akuzë shpjegohet më tej nga 27-vjeçarja:
Sara: Isha me studime në atë kohë dhe i kërkova të ndaheshim. Ai në atë kohë jo vetëm që nuk pranoi, por filloi të më dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht. Atëherë kërkoi dhe donte të martoheshim, isha në vitin e parë në fakultet dhe këtë gjë ia tha edhe mamasë.
Episodi i fundit përshkruhet nga Sara:
Sara: Pasi më goditi me biçikletë, më kapi prej krahu dhe më tërhoqi zvarrë. Më tha “ti ke për të vdekur, nuk ke për t’u martuar kurrë me asnjë person tjetër, kam për të ta nxirë jetën ty dhe kujtdo që qëndron pranë teje”.
Sara i shpjegon policisë se ish i dashuri më tej e kishte goditur me shuplakë, ndërsa ka vijuar me kërcënime. 27-vjeçarja është shkëputur nga krahët e ish-partnerit dhe më vonë ka marrë autobusin drejt Durrësit ku edhe ishte nisur për të shpërndarë ftesat e dasmës.
Sara: Por në autobus hipi edhe Kreshniku. M’u afrua në një mënyrë të tillë sikur do më godiste prapë dhe më tha “nuk e ke të gjatë, mua do më kesh hije gjithmonë nga pas”.
I hetuari ka vazhduar më tej këmbënguljen e tij për ta pasur të tijën ish të dashurën duke e kërcënuar edhe me mesazhe, kësaj radhe në “Instagram”. Përmes një adrese të huaj, ai e pyet Sarën duke i dërguar mesazhe të njëpasnjëshme:
“Niku jam .. a mbërrite?”
“E more jetën shumë lehtë”
“Unë do jem në qarkullim”
“A arrite drejtoreshë?”
“Jam drejtori në qarkullim”
Burimi: Gazeta Si