Monika Kryemadhi pranoi për herë të parë të ketë bërë botox, por mohoi ndërhyrjet estetike. Deputetja Kryemadhi u thirr në SPAK si person në dijeni për hetimin pasuror ndaj saj.
“Lobimi, hetimi pasuror i Monika Kryemadhit, operacionet plastike që flasin nëpër televizione janë në një çështje. Nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Çdo grua që mirëmbahet dhe që kërkon të jetë korrekte nuk është ndërhyrje estetike. Ndërhyrje estetike do të thotë të ndryshosh shumë gjëra. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni jo si person nën hetim. Patjetër që botox kam bërë si të gjitha gratë dhe si gjithë burrat”, pohoi ajo.
Kryemadhi tha se ndahet në qëndrime me Ilir Metën sa u takon akuzave për Prokurorinë e Posaçme.
“I qëndroj çdo deklarate time lidhur me reformën në drejtësi. Nuk e sfidoj as sistemin e drejtësisë as sistemin ku jetojmë e punojmë pavarësisht problematikave. Nuk do të isha ndër deputetet e pakta që ka dorëzuar 6 padi për inceneratorin. Sigurisht që të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Vazhdoj të qëndroj që lufta ime është betejë politike, nuk është me prokurorët. Ndahemi (me Ilir Metën). Unë jam një e paditur nga Erjon Veliaj dhe beteja ime është me opinionin publik”.
Sipas saj padia e dorëzuar në SPAK është bërë nga dy ushtarë të bindur të Veliajt
“Padia që është dorëzuar në SPAK kundër Kryemadhit nga dy ushtarët e bindur të Erjon Veliajt, është paditur mamaja ime dhe fëmijët e mi. Le të ma marrin celularin, ka vetëm gjëra të bukura dhe fjalë të mira celulari im”.