Aktualitet “Po pengon aksionin e IKMT”, Ministria e Brendshme kërkon nga ILD dhe...

“Po pengon aksionin e IKMT”, Ministria e Brendshme kërkon nga ILD dhe KLGJ të inspektojnë gjyqtarin e Gjirokastrës

Autoritetet nisën para pak ditësh një aksion në vijën bregdetare për shembjen e ndërtimeve pa leje. Por, aksioni duket se ka ngecur për shkak të disa vendimeve të Gjykatës Administrative.

Kjo situatë ka sjellë dhe përplasjen mes Ministrisë së Brendshme dhe anëtarit të Gjykatës Administrative në Gjirokastër, Elidon Papazisi.

Në një letër që ministri Blendi Çuçi i ka dërguar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe dijeni Ministrit të Drejtësisë, kërkohet që të kalohen në sitë vendimet e këtij gjyqtari.

Sipas, Ministrisë së Brendshëm vendimet e gjyqtarit Parazisi janë bërë shkak që të pengohet aksioni i IKMT dhe Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit kundër ndërtimeve të paligjshme “Bregdeti ynë”.

Në letër theksohet se në analizën dhe vlerësimin e strukturave te Ministrisë së Brendshme vendimet e gjyqtarit janë në kundërshtim me parimet e drejtësisë dhe në thyerje të ligjit.

“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër ka pranuar pjesërisht kërkesën e paditësit për marrjen e masës së sigurimit të padisë pa u thelluar në arsyetimin e saj dhe duke mos i dhënë rëndësinë e duhur kundërvajtjes së ndërtimit pa leje, duke pezulluar në këtë rast prishjen e një ndërtimi të kundërligjshëm”, nënvizohet në letrën e ministrit Çuçi për një nga vendimet.

Ministri i Brendshëm u kërkon autoriteteve të gjyqësorit të marrin në shqyrtim dhe inspektojnë besueshmërinë në ligj të vendimeve të gjyqtarit, të cilët sipas ministrit, lënë vend edhe për dyshime se kanë pasur prirje në favor të interesave klienteliste.