Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar sonte se pse ka vënë në qendër të fushatës së zgjedhjeve vendore, Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Sipas tij, ata të dy janë faqja e zezë e Shqipërisë dhe dy anë të një medaljeje dhe ai po përcjell mesazhin e partnerëve ndërkombëtarë, që, sipas tij, thonë se nuk duan që shqiptarët të mbështesin një non grata si Sali Berisha, por edhe Ilir Metën që është me të.
“Ngjajnë ashtu siç janë në fakt, sepse po bëhet një fushatë e cila ka tre shtresa.
Shtresa e parë është ajo që ndodh çdo ditë, larg vëmendjes së mediave dhe me shumë pak vëmendje nga mediat lokale, fshat më fshat, në lagje të vogla, që flasin për çështje që janë të lidhur ame komunitetin.
Shtresa e dytë është fushata që bëhet me kandidatët dhe me përfaqësuesit politikë që janë drejtuesit politikë apo deputetët, me takime pak më të mëdha, por edhe këto nuk janë në vëmendjen shumë të mediave.
Dhe shtresa e tretë është fushata në nivelin kombëtar, ku shkoj unë, ose ku shkojnë ata liderët e tjerë dhe ajo fushatë nuk mund të fokusohet tjetërkund, sepse, sado që këtu është relativizuar për shkak të qëndrimit në media, që një individ i shpallur non grata, praktikisht me derë të mbyllur në të ardhmen, por me ata pa të cilët Shqipëria nuk funksionon dot, trajtohet si një normalitet demokratik dhe si një alternativë. Por nuk është, në këndvështrimin tim. Nuk është. Është e kundërta. Është një faqe e zezë për Shqipërinë, për të gjithë ne, sepse nëse jemi këtu ku jemi dhe Shqipërinë që nuk ka qenë kurrë në një pikë më të lartë në arenën ndërkombëtare dhe përgjegjësitë që na janë besuar, që te ulësja në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kjo vjen nga politika jonë e jashtme, shumë të mençur dhe dinjitoze, por edhe si rezultat i atyre që na mbështesin.
Kur ata që na mbështesin ne, jo thjesht në aspektin e sigurisë, por të aspektit ekonomik, turizmit etj, e thonë me shkrim, me vulë, me zë, me figurë, dhe e përsërisin që aq sa ju duam ju dhe që të ecni përpara, aq nuk duam që ju të na nxirrni përpara këtë individ që për ne është i padëshirueshëm, ky mesazh nuk i çohet Partisë Socialiste. Ky është mesazh që i çohet shoqërisë shqiptare.
Shqiptarët duhet ta kuptojnë dhe të reagojnë ndaj këtij mesazhi. Mesazhi u drejtohet atyre shqiptarëve që ende nuk po e kuptojnë këtë gjë.
Ana tjetër e medaljes është Likja dhe kur një personazh i tillë i bashkuar me një tjetër personazh të tillë bëhen bashkë dhe çojnë kandidatë të kësaj faqeje të zezë, po të shikosh të gjitha anketimet, Likja është personi më pak i dëshiruar pas të shoqes, kjo është domosdoshmëri strategjike për ta patur ballinë të fushatës”, u shpreh Rama në emisionin “Të Paekspozuarit”.