Kryesore “Po persekutohemi”, Monika Kryemadhi reagon për masën e sigurisë: Nuk kam marrë...

“Po persekutohemi”, Monika Kryemadhi reagon për masën e sigurisë: Nuk kam marrë ende dijeni nga SPAK

Deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar në rrjetet sociale pas lajmit se ndaj saj është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje.

Ajo shprehet në rrjetet sociale se ende nuk ka marrë dijeni mbi një vendim gjykate ndaj saj, apo ndaj ish-burrit të saj, Ilir Meta.

“Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare. Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike”, njoftoi Kryemadhi.

Kryemadhi thotë se ndaj tyre po ndodh persekutim, por kjo nuk do ta ndalojë opozitën në betejat e saj.

“Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik. Duke nisur nga Inceneratorët dhe deri tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët”, njoftoi Kryemadhi.