Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus, pohoi të premten se Moska duhet të shtyjë “kufijtë e kërcënimeve” sa më shumë që të jetë e mundur, “edhe nëse ata do të jenë kufijtë e Polonisë”.
Deklaratat e forta Medvedev i bëri përmes një postimi në Telegran, teksa shënohet 1-vjetori i nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
Ish-presidenti rus tha se vendi i tij do të “fitojë në Ukrainë” dhe kjo do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Fitorja do të arrihet. Ne të gjithë duam që ajo të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe ajo ditë do të vijë. Ne do t’i kthejmë territoret tona dhe do të mbrojmë me siguri njerëzit tanë që vuajtën gjatë viteve të gjenocidit dhe granatimeve”, tha Medvedev.
Në mars të vitit 2014, Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë në Ukrainë, në një lëvizje të denoncuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, BE dhe SHBA.
Atë vit filloi gjithashtu një konflikt në Ukrainën lindore, midis Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Pas luftës, Medvedev tha se priten negociata dhe do të të arrihet një marrëveshje paqeje.
“Motivet e armiqve kryesorë të vendit tonë janë të dukshme: të dobësojnë Rusinë sa më shumë, të na gjakosin për një kohë të gjatë. Prandaj, ata nuk janë të interesuar për t’i dhënë fund konfliktit. Por herët a vonë, sipas ligjeve historike, ata do të bëjnë. Dhe pastaj, do të ketë një lloj marrëveshjeje”, tha ai.
Medvedev shtoi se kjo marrëveshje ndoshta nuk do të përfshijë kushte specifike për kufijtë.
Ai tha se Ukraina ka të ngjarë të ruajë pozicionin e saj “anti-rus”, ndoshta duke u kthyer në një përpjekje për të “provokuar një konflikt botëror”.
“Kjo nuk mund të ndodhë. Prandaj është kaq e rëndësishme të arrihen të gjitha qëllimet e operacionit të posaçëm ushtarak. Të shtyhen sa më shumë kufijtë e kërcënimeve ndaj vendit tonë, edhe nëse do të jenë kufijtë e Polonisë. Duhet shkatërruar neo-nazizmi në tokë … në mënyrë që bota të gjejë paqen e shumëpritur”, tha Medvedev.