Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, në një konferencë për shtyp të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, deklaroi se ky muaj dhe ky vit mund të jetë muaji ose viti i Ballkanit Perëndimor, por, sipas tij, “duhet të tregojmë rezultatet dhe arritjet”.
“Jam i kënaqur që shoh se ndoshta mund t’i kthehemi jetës së mëparshme, pas pandemisë. Takimi i sotëm kishte të bënte me agjendën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe është shumë i rëndësishëm, pasi shikojmë angazhim të udhëheqësve për të krijuar tregun e përbashkët rajonal. Po shikojmë rezultatet e para që po ndryshojnë jetën e qytetarëve, me lançimin e marrëveshjes pa tarifa “roaming” në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Presim njohjen e diplomave apo lëvizjen vetëm me karta identiteti. Ne jemi të gatshëm të rikonfirmojmë angazhimin tonë me planin e investimeve, me pothuajse 30 miliardë euro në investime në rajon. Por, ky plan nuk funksionon nëse rajoni nuk funksionon si një i tërë. Nuk ka kuptim ndërtimi i autostradave nëse kamionët ndalen në kufi. Pra, plani jep rezultate nëse rajoni punon për tregun rajonal. Sot solla lajmin që kemi një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani”, u shpreh Varhelyi.
“Duam që të organizohen konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky muaj dhe ky vit mund të jetë muaji ose viti i Ballkanit Perëndimor. Por, duhet të tregojmë rezultatet dhe arritjet. Ne po punojmë fort prapa kuintave, pasi kjo është periudha e diplomacisë së heshtur. Është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë”, tha Varhelyi.
Në lidhje me këtë çështje, Rama u shpreh: “Rëndësi ka që detyrat tona t’i bëjmë plotësisht, pasi nuk i bëjmë për Brukselin apo Berlinin, por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë. Detyrat e integrimit janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë evropiane në sistemin e saj të drejtësisë, të institucioneve të shërbimeve ndaj qytetarëve, në sistemin e saj të përgjithshëm demokratik. Përsa kohë neve na ka thënë Komisioni Evropian që detyrat janë bërë si duhet, ne jemi të qetë. Këshilli Evropian ka pasur arsyet e veta që nuk kanë lidhje fare me ne dhe kjo gjë ka marrë kohën e vet. Sot nuk ka kontestim për detyrat tona, por ky është një rast tjetër për të mësuar Evropën dhe rrugën e futjes në këtë familje të madhe, ku gjërat janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”.