Kryesore Po rezulton efektive në Ukrainë, edhe Shqipëria porosit raketa amerikane “Javelin”

Po rezulton efektive në Ukrainë, edhe Shqipëria porosit raketa amerikane “Javelin”

Raketa e tipit Javelin duke u perdorur ne Ukraine

Raketat Javelin, janë ndër armët më efektive në botë kundër tankeve dhe automjeteve të tjera të blinduara – dhe madje mund të rrëzojnë një helikopter në lartësi të ulët. Javelin është e vogël, e lehtë dhe konsiderohet si një nga raketat më të rrezikshme. Kjo raketë e kërkon objektivin në mënyrë të pavarur.

Kompania prodhuese, konsorciumi amerikan Javelin Joint Venture, ka marrë kërkesa të shumëfishta nga vende të ndryshme të botës pas suksesit të demonstruar të këtij sistemi në luftën e Ukrainës, ku ushtria e Ukrainës arriti të mposhtë tanket e panumërta ruse falë efikasitetit të këtij sistemi.

Edhe Shqipëria është një nga disa vendet që ka porositur për të blerë raketat antitank Javelin të prodhuara nga konsorciumi amerikan Javelin Joint Venture, e cila përbëhet nga kompanitë Lockheed Martin Corp dhe Raytheon Technologies Corp. Lajmin e bëri të ditur Lockheed Martin në një njoftim për shtyp ku raportoi se blerjet e Shqipërisë, Norvegjisë, Letonisë dhe Tailandës janë pjesë e një porosie me vlerë 316 milionë dollarë nga Pentagoni. Numri i raketave dhe vlera porosisë nga Shqipëria nuk bëhet e ditur.

Javelin është një sistem raketor që ka filluar të përdoret që nga viti 1989 dhe që pritet të përdoret së paku deri në vitin 2050, sipas kompanisë. Ajo kushton rreth 250 mijë dollarë për copë, por është në gjendje të hedhë në erë një tank që kushton shumëfish më shtrenjtë. Kompania pret që të rrisë prodhimin në rreth 2100 copë këtë vit.

Ky tip është një raketë mbrojtëse e re e prodhuar nga Raytheon dhe Lockheed, dhe mundet që në distancë të madhe të përdoret kundër tankeve, automjeteve të blinduara dhe bunkerëve. Operatori duhet vetëm të fiksojë objektivin, pastaj raketa e gjen vetë atë. Në luftën në Lindje të Ukrainës, kjo shihet si një avantazh, për shkak se luftimet zhvillohen në rajone shumë të populluara.