Përvojë e hidhur për Iglin Taren, drejtorin sportiv të Lazios, ndërsa po shëtiste me dy qentë e tij në një qendër rezidenciale, ku ka jetuar për ca kohë me familjen e tij. Ai u sulmua nga një qen pitbull, që ishte larguar nga i zoti, e për fat ta keq, një prej qenve të tij ngordhi, ndërsa tjetri mori disa plagë. Lajmi u konfirmua nga rezidenca “Olgiata” nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Na vjen shumë keq që duhet të sjellim në dijeninë tuaj një episod serioz, që ndodhi dje. Një qen pitbull, pasi dyshohet se ishte ngjitur mbi gardhin e një vile, sulmoi një anëtar të rezidencës sonë, i cili po ecte me dy qentë e tij, të mbajtur rregullisht me zinxhir, për fat të keq duke vrarë njërin dhe plagosur qenin tjetër. Stafi mbikëqyrës ndërhyri menjëherë në vendin e ngjarjes dhe arriti ta kufizonte dëmin.
Anëtari i rezidencës raporton se do të propozojë veprime civile dhe penale për incidentin. Edhe konsorciumi ynë do të marrë masa, nga ana tjetër, për të mbrojtur të gjithë komunitetin e shqetësuar seriozisht nga ky episod, duke ngritur gjithashtu një padi civile”.