E gjithë Norvegjia bën tifo për Erling Haland, sulmuesin e ri të Borusia Dortmund, që me 7 gola në 135 minuta me Borusia Dortmundin, është kthyer në njërin prej emrave më të lakuar të futbollit botëror. Por, në Norvegji nuk janë të qetë. Ata druhen se fama dhe presioni mund ta shpërqendrojnë lojtarin, pikërisht në momentin kryesor për kombëtaren. Për këtë arsye, federata ka bllokuar futbollistin e vet që të japë intervista përpara çdo ndeshjeje me kombëtaren.
“Haland flet më mirë me këmbë dhe po e shikoni që ai po bën shumë mirë”, u shpreh zëdhënësi i Federatës Norvegjeze Svein Graf. TV2 i Norvegjisë, është i vetmi televizion që ka të drejtën e pyetjeve, por vetëm në momentin kur trajneri Lars Lagerbak ta shohë të arsyeshme.
Gjatë muajit mars Norvegjia do të luajë ndeshjet e Play-off, për të siguruar një vend në Euro 2020, ku pritet të ndeshet kundër Serbisë.