Christian Panucci ka nisur një tur vizitash në disa vende të Europës, në ligat ku aktivizohet futbollistë shqiptar. Pas Italisë, trajneri i kombëtares “Kuq e Zi” ka qenë sot në Sllovaki, për të parë nga afër mesfushorin shqiptar, Kristi Qose.
Telesport ka mësuar se Qose është një nga lojtarët që pritet të rikthehet në kombëtaren shqiptare, me të cilën ka debutuar në vitin 2014 kur ishte ende shumë i ri.
Tashmë 23-vjeçari është duke bërë një sezon të shkëlqyer me Ruzomberok në kampionatin sllovak. Sot, Panucci ka qenë i pranishëm në shkallët e stadiumit të Podbrezova, ekip me të cilin luajti skuadra e Kristi Qoses këtë të shtunë.
Mesfushori i kombëtares shqiptare luajti titullar në këtë ndeshje, madje duke shënuar edhe një gol, por që u anullua nga arbitri i takimit, megjithëse Ruzomberok e fitoi ndeshjen me rezultatin 0-1.
Duket se Christian Panucci është bindur nga paraqitja e Kristi Qoses, të cilin e ka pritur pas ndeshjes jashtë stadiumit për ta takuar, por mesfushori shqiptar nuk ka pasur njoftim për këtë vizitë të papritur nga trajneri i kombëtares shqiptare, dhe për pasojë nuk ka arritur të takohet me trajnerin Panucci.
Gjithsesi, mesfushori i qendrës, pritet të jetë një afrimet e reja në ekipin kombëtar në mars për ndeshjet zyrtare të kualifikueseve të Euro 2020.
Pas Sllovakisë, pritet që Panucci të vëzhgojë të tjerë lojtarë nga afër, ndoshta destinacioni i radhës do të jetë Kroacia, aty ku luajnë tashmë 5 futbollistë të kombëtares, Myrto Uzuni, Ardian Ismajli, Kristal Abazaj, Francesco Tahiraj dhe Emir Sahiti.