Përkrahje e autorit të krimit dhe pastrim parash janë akuzat që SPAK ka ngritur ndaj Erzen Breçanit, ish-zv/drejtorit të Policisë së Tiranës i cili u arrestua mbrëmjen e së hënës pas urdhër-arrestit të Prokurorisë Speciale për goditjen e një bande kriminale të përfshirë në disa vepra penale.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar mbrëmë në emisionin ‘Opinion’, dha detaje mbi këto dy akuza ndaj Breçanit se ku del roli i tij.
Sipas dosjes së SPAK të cituar nga gazetarja Lala, Erzen Breçani ka qëndruar me një person pjesë të kësaj dosje, Bujar Gërmizi, i cili rezulton të jetë autori që mbështeste Nuredin Dumanin në udhëtimet e tij drejt Kosovës nga Kukësi.
“Z. Breçani ka dy akuza. Akuza e parë ka të bëjë për përkrahje të autorit të krimit, që është rast i Bujar Gërmizit. Erzen Breçani dhe Bujar Gërmizi njihen prej shumë vitesh për shkak se Bujar Gërmizi vinte nga radhët e policisë dhe vinte nga radhët e forcave speciale. Dhe njiheshin. Dhe kanë qëndruar në një stan në zonën e Kukësit, ku një moment, z. Breçani ka thënë që po përgjohej nga ana e policisë. Dhe në këto momente, thotë SPAK, ai ka përkrahur një autor të krimit. Ka një detaj tjetër. Bujar Gërmizi në atë kohë ishte njeriu që mbështeste dhe strehonte të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani. Kjo është e dokumentuar, e thotë edhe Nuredin Dumani. Të gjitha hyrje-daljet e Nuredin Dumanit nga Morina në drejtim të Kosovës dhe në kthim, Nuredin Dumani i kalonte pa asnjë problem për shkak të mbështetjes dhe fuqisë që kishte Bujar Gërmizi. Në këtë aspekt, ai strehohej nga ana e Bujar Gërmizit. Dhe duke përkrahur Gërmizin, sipas prokurorisë, ka përkrahur edhe Nuredin Dumanin. Në këtë moment, z. Breçani ka pretenduar në praninë e avokatit ditën e sotme që ai e njeh si mik, ka biseduar dhe e këshilluar Gërmizin të ishte i kujdesshëm në komunikimet e tij për shkak se ishte oficer policie, por ka mohuar të kishte përfshirje në veprimtari kriminale. Një moment thuhet që Gërmizi i ka dhënë një celular të enkriptuar Erzen Breçanit, celular i cili është rimbushur kur është përdorur më herët nga Dumani. Kjo mbetet për t’u sqaruar”, tha Lala.
Akuza tjetër, ajo e pastrimit të parave, sipas gazetares ka të bëjë me një shumë parash prej 300 mijë eurosh që Breçani kishte marrë nga djali i tij.
“Ai dyshohet edhe për veprën penale të pastrimit të parave sepse ka marrë një shumë prej rreth 300 mijë eurosh nga i biri. Dhe ai refuzonte paratë e Matës, por një moment ai i thotë djalit që ‘ti nuk duhet të merresh më me këtë punë’. Pra duket që ka dijeni për historinë e të birit, ‘nuk duhet të merresh më me këtë punë, sepse nuk duhet t’i bësh dëm Shqipërisë, nuk mund të më shkatërrosh mua’ e të tjera me radhë dhe ‘më ke dhënë fjalën që do kthehesh’. Por më pas duket sikur është i dorëzuar, sikur e ka humbur përballjen me djalin, dhe një moment tjetër i thotë që po me këtë çfarë bëre? Nëse ti i bën paratë, mund të m’i sjellësh se më duhet të investoj tek një hidrocentral që po ndërtohej. Por nga ana tjetër, vëllai i Erzen Breçanit pretendon që këto para që janë përdorur për blerjen apo hidrocentralin, janë marrë përmes një kredi”, tha Lala.
Djali i madh i Erzen Breçanit është një nga personat e akuzuar për trafik droge në këtë dosje dhe është i shpallur në kërkim. Djalin i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës, person i shpallur gjithashtu në kërkim për këtë dosje dhe konsideron si kreu i bandës së trafikut të drogës.