Top Story ka mundur të ketë një komunikim me babanë e autorit të dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Kjo është hera e parë që familja e 14-vjeçarit që dyshohet se vrau me thikë shokun e shkollës pak metra jashtë ambienteve të “Fan Nolit”, teksa tha se është shumë i shokuar për ngjarjen e se ndan dhimbjen me familjen e Canit.
Fillimisht ai është shprehur i indinjuar për trajtimin dhe lajmet që janë bërë për djalin e tij, ndërsa i quan provokime dhe aludime të pabaza. “Keni sulmuar një fëmijë”, thotë ai kur flet për mediat dhe lajmet që janë trajtuar pas tragjedisë.
“Çfarë janë këto lloj provokimesh? Ku e dini dhimbjen që ka familja ime? Çfarë janë këto provokime? Si publikoni ato gjëra? Ku e dini ju dhimbjen tonë? T’ia shpreh dhimbjen ju? Apo familjes që ka hallin dhe ka hallin përgjysmë me mua.
Asnjë minutë, keni sulmu një fëmijë dhe po sulmoni… se jam shumë i lënduar dhe i vrarë në shpirt për atë që ka vdekur dhe atë që ka ndodhur dhe nuk kam asnjë fjalë tjetër. Dhimbjen time e di Zoti lart dhe shpirti im dhe çdo njeri që me njeh mua, dhimbjen që kam unë tani. Sepse fatkeqësinë e kam përgjysmë”, tha ai.
Babai u shpreh se është duke tentuar që të ketë një komunikim me familjen Cani.
“Nuk kam folur, jam duke tentuar. Nuk keni pse ndërhyni, kam aq burrni dhe karakter dhe shpirt sa për të folur me familjen e tij. Nuk i kam bërë keq kurrë. Nuk jam një familje ordinerësh, por një familje e lartë, punojmë bashkë me nusen, kemi një djalë për mall dhe atë u munduam ta rrisim siç duhet ta rrisim, por normalisht çdo gjë …. nuk di çfarë të them tjetër…. familjen time nuk mund ta prishë kush. Familja ime ka vepra. Pjesën e dhimbjes e ndaj me zotërinë, sikur me pas vdek djali im”, tha ai.
Ndër të tjera ai u shpreh se nuk ka pasur dijeni për sherrin që fëmijët kanë pasur më herët në shkollë.
“Nuk di asgjë, thjeshtë di që djali im akuzohet për atë pjesë… Nuk di asgjë. Po të dihej nuk do kishte ndodhur kjo gjë…. Një djalë për mall kam… Unë nuk kam fjalë për të thënë, nuk di fjalë me gjet për ngushëllime për familjen që i ka ndodhur tragjedia. Spekulimet e njerëzve nuk më interesojnë…. Por të spekulohet për një 14-vjeçar që nuk e di se çfarë është jeta, çfarë është sherri, çfarë ka bërë, nuk di gjë se çfarë ka bërë, inshallah se ka bërë, se nuk kam parë asnjë filmim, le ta marrë ligji në dorë”, tha ai.
Përlleshi shprehet se i biri ndodhet në gjendje shoku, ende në spital, ndërsa shton se kanë vetëm një djalë dhe se janë përpjekur që ta rrisin dhe edukojnë sa më mirë.
“Fjalët e miletit unë nuk i ndaloj dot se nuk më intereson fare, mua më intereson dhimbja e familjes dhe… Djali im është në spital. Është kalama, është i tronditur dhe është në gjendje shoku, dhe unë dhe nusja jemi në gjendje shoku…”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ka qenë në makinë me djalin në momentin që ai ka postuar foto pas krimit në rrjetet sociale, ai e mohon duke thënë se ka prova që vërtetojnë se ai ka qenë në punë në momentin e ngjarjes.
“Ke fakte nga kam qenë unë kur ka ndodhur problemi. Unë kam qenë në punë në ndërtim, ka kamera”, tha ai.
Po ashtu ai tha se djali nuk i ka konfirmuar se e ka kryer krimin.
“Djali është i shokuar, nuk di se çfarë thotë. Djali është në spital”, deklaroi deklaroi ai në ekranin e Top Channel.