Besmir Sula, i cili njihej dhe me mbiemrin Zeneli dhe Aleksandër Algeri janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen se trafikonin droga të forta.
Policia në një njoftim për mediat, bën me dije se Besmir Sula 35 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe bashkë me të është kapur dhe Aleksandër Algeri 33 vjeç, banues në Tiranë.
“Shtetasi B. S.(Z)., me anë të lidhjeve të tij shoqërore siguronte sasi të mëdha lënde narkotike të llojit kokaine, të cilën ia jepte më pas shtetasit A. A., që ta shiste në doza të vogla, te klientë të ndryshëm në qytetin e Tiranës, me sasi nga 100 gramë deri në 1 kg, kundrejt vlerës 45 euro për gram”, sqaron policia.
Arrestimi i tyre është bërë në vendin e quajtur “21 Dhjetori”, ku gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtyre 2 personave u gjet një sasi me rreth 800 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku 1 aparat celular dhe një automjet që autorët e përdornin për shpërndarjen e lëndës narkotike.