Nga Ekrem Bardha
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ku janë angazhuar më shumë se çdo shtet tjetër, për të mirën e përgjithshme, ndërmorën aktin e tyre parapritës, duke eliminuar njërën ndër kokat më agresive kundër lirisë dhe përgjegjës për sulme të ndryshme terroriste, i cili, edhe ditët e fundit, po planifikonte katër aksione vdekjeprurëse në shumë shtete ndaj civilëve.
Vrasja e një terroristi, të veshur me pushtet absolut dhe i njohur për natyrën e tij agresive, ishte sinjali më i qartë që lëshoi administrata amerikane, dëshmi e qëndrimit të saj të prerë si gjithmonë dhe në vazhdimësinë mbrojtjen e lirisë dhe e hekurt në qëndrimin e saj në goditjen ndaj lëvizjeve thellësisht radikale. Mesazh për të mbledhur mendtë ata që mendojnë të sulmojnë demokracinë amerikane. Ishte thirrja e fundit se, ky shtet i fuqishëm dhe aleatët e tij, nuk do të lejojnë më përsëritjen e 11 shtatorit, por as sulmet ndaj strukturave të bashkësisë euroatlantike.
Shteti shqiptar, shteti i Kosovës, demokracitë e zhvilluara, njerëzit paqedashës e mbështetën këtë akt, i cili në vetvete, aq sa është parandalues, aq ka të bëjë me jetën e njerëzve, lirinë e tyre për të jetuar në paqe, pa ankthin e vdekjes dhe të sulmeve terroriste. Në fund të fundit, ky akt, eliminimi i një personi të veshur me pushtet dhe synime terroriste, është edhe demokratik, pasi mbron mijra jetë njerëzish, të drejtën e një jete normale dhe të sigurtë, stilin tone të jetesës, të lire dhe demokratik.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë strategjik dhe historikisht i dëshmuar në mbështetje të aspiratave të lirisë dhe prosperitetit tonë demokratik e jetësor.
Por, disa gazetarë, të konsideruar analistë, opinionistë, sulmuan pikërisht Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur Aktin parapritës të saj si një sulm terrorist, të papërgjegjshëm, duke shkuar edhe më tej se kaq: e cilësuan si një Turp.
Si nuk keni turp që sulmoni një shtet, nga i cili rrjedh pavarësia e shtetit shqiptar, që, edhe në kohën më të rëndë për fatet e Shqipërisë i është gjendur pranë shqiptarëve; i cili, edhe në kohën e komunizmit nuk ka lejuar copëtimin e vendit tonë nga Junta e kolonelëve grekë, që kërkonin jugun e mëmëdheut tonë.
Pa vendosmërinë e shtetit amerikan nuk do të kishim sot Kosovën e pavarur, shtet i mëvetishëm, i cili, në mos tani, në një të ardhme, do të bashkohet me shtetin amë dhe do të realizohet kështu ëndrra e madhe e Rilindasve tanë.
20 vite më parë, gjysma e kombit shqiptar rrezikohej të zhdukej nga gjenocidi serb i Millosheviçit dhe armatave serbe. Në më pak se një vit u vranë rreth 15 mijë shqiptarë; vetëm në një ditë në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, ku ka lindur e vepruar filozofi i madh atdhetar Ukshin Hoti, u vranë 274 meshkuj, që nga fëmijët e porsa lindur e deri tek pleqtë. A ju thonë gjë të vrarët në Kosovë, apo, sipas “mendjes” suaj, edhe ndëshkimi i terrorizmit serb nuk duhej ndërmarrë dhe më mirë të vriteshin edhe më tej mijra shqiptarë?
E drejta e shqiptarëve për të besuar te liria, e drejta e fjalës dhe e pronës, të kenë institucionet e tyre fetare, liria e lëvizjes, të jenë pjesë e NATO-s, si garanci e sigurtë e paprekshmërisë së saj, vjen pikërisht nga fuqia e Shtetit Amerikan, këmbëngulja dhe lufta e tij për demokracinë në Shqipëri, për të drejtën e fjalës – që ju,e shpërdoroni mizorisht; për të drejtën e besimit, të pronës, të lëvizjes së lirë.
Në jetën time prej një gjysëm shekulli e më shumë në shtetin amerikan kam pasur fatin e madh të takohem, të bisedoj dhe të shtroj shqetësime të ndryshme para 6 presidentëve amerikanë; edhe në kohën kur shteti ynë ishte nën diktaturën komuniste, edhe më pas, në fillimet pluraliste dhe shtetin plural. asnjëherë , në mënyrë absolute asnjëherë, nuk kam dëgjuar një fjalë mospërfillëse për shqiptarët, kudo që jetonin. Presidenti Nixon ishte Ai që nuk e lejoi juntën ushtarake greke të ndërmerrte akte agresive ndaj shtetit tone, megjithëse ishim nën diktaturën komuniste dhe presidenti ishte antikomunist i njohur; ishte presidenti Klinton që urdhëroi fuqinë ushtarake më të madhe të të gjitha kohrave për të sulmuar pushtetin fashist serb; ishte presidenti GEORG BUSH jr, – i cili që nga Tirana, shpalli mëvetsinë e shtetit të Kosovës.
E mirëkuptoj që nuk i dini të gjitha këto fakte, sepse nuk paraqiten ende në librat e Historisë Shqiptare, dikur për shkak të izolimit nga bota e më pas, si demokraci e re e si duket me shumë problem, sepse nuk e besoj dot që gazetarë profesionistë të dëshirojnë vetdijshëm të keqinformojnë opinionin publik dhe të nxisin keqdashësi ndaj aleatit dhe mbrojtësit tone kryesor amerikan. Falë të së cilës ekzistojmë në këtë formë dhe masë, siç jemi sot, dy shtete shqiptare, të pavarur, të lire dhe demokratik, evropian.
Shqiptarët ,kudo që jetojnë, janë ndër popujt më pro amerikanë dhe kanë arsye të jenë, pasi ekzistenca e djeshme dhe e ardhmja e tyre janë të lidhura pikërisht me këtë shtet të fuqishëm, i cili na ka dalë krahë në të drejtën tone, të cilën nuk e mbronim dot vetë si një shtet i vogël që jemi.
I detyruar të arratisem, të gjejë vendbanim në shtetin amerikan, të ndërtojë në Amerikë një jetë të re, nuk e harrova kurrë Atdheun, e pata gjithmonë në zemër dhe fati e deshi të isha dëshmitar aktiv në 5 situata, ku, falë Vendimit të prerë dhe të palëkundur të presidentëve amerikanë, në bazë të mirëinformimit të verifikuar, paraprinë mos-shpërbërjen e Shqipërisë, duke luftuar fort diplomatikisht, por edhe duke sakrifikuar jetë ushtarësh amerikanë, kur ishte e nevojshme, në mbrojtje të ekzistencës sonë si Shqipëri, si shtetas të një shteti të vogël, kundrejt interesave të padrejta, personale të shteteve shumë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm se ne, qoftë edhe aleatë më të vlefshëm se sa ne për Amerikën.
Të duash me shpirt popullin dhe vendin që i takon dhe, një nga shenjat e kësaj dashurie është mirënjohja për ATA që na janë gjendur në momentet më të vështira të jetës dhe të historisë sonë, të cilët kanë pasur qartësinë, vendosmërinë dhe dashamirësinë të luftonin për të drejtat tona, kur ne vetë nuk i mbronim dot ata.