Shpresat për samitin për klimën në Glasgou, që mbledh disa nga njerëzit më të fuqishëm në botë, mbeten ende të mëdha edhe pse nuk mungojnë kritikat nga ata që i cilësojnë rezultatet paraprake si premtime boshe dhe pa pasoja në terren. Pikërisht në terren, situata paraqitet si dramatike.
Kenia është një shembull konkret. Vendi afrikan, në pjesën e tij më të madhe, po përjeton një thatësirë të vazhdueshme që po rrënon së tepërmi ekonominë e vendit, dhe po rrezikon në mënyrë direkte jetën e të paktën 2 milionë personave. Vendi ka shpallur katastrofën mjedisore në të paktën 10 nga rajonet e tij.
“Po vdesin të gjithë kafshët, dhe ne me to”, tregon Jusufi, një fermer i zonës që në pak ditë ka humbur mbi 40 dhi.
Por edhe kafshët e egra po vuajnë, dhe pamje gjithmonë e më të shpeshta tregojnë zebra, gjirafa dhe specie të tjera të ngordhura në pellgjet ku më parë ishin mësuar të shuanin etjen.
“Nuk kemi një planet tjetër që mund të përdorim në qoftë se shkatërrojmë këtë që kemi”, thonë ekspertët e vendit. Edhe pse Afrika shkakton vetëm 4% të ndotjes globale, ai është kontinenti që po sheh pasojat më të rënda të saj, duke shtyrë miliona persona drejt vendeve perëndimore.