Më shumë sesa t’i bashkojë vendet në një front të vetëm, Covid-19 duket se po ndan. Shkak është vaksina dhe lufta individuale e vendeve për ta siguruar sa më shpejt.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi sërish për rrezikun e “nacionalizmit të vaksinave”.
Ai vuri në dukje se lufta për vaksinat e koronavirusit mund të shkaktojë pabarazi edhe më të mëdha në botë.
Duke folur dje në një panel në Forumin Botëror të Biznesit në Davos, kreu i OBSH-së tha se tani është real rreziku që mjetet, të cilat mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund pandemisë, vaksinat, mund të përkeqësojnë të njëjtat pabarazi.
Në një postim dje në Twitter, ai paralajmëroi se nëse virusi vazhdon të qarkullojë dhe nacionalizmi i vaksinave çon në humbje të besimit në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe nëse operacionet e biznesit dhe zinxhirët e furnizimit vazhdojnë të prishen, të gjithë do të paguajnë çmimin në terma të rimëkëmbjes afatgjatë të ekonomisë.
“Kjo mund të vonojë dërgesat e COVAX dhe të krijojë saktësisht skenarin, për shmangien e të cilit është krijuar COVAX. Kjo do të sillte një treg kaotik, një përgjigje të pakoordinuar dhe përçarje të vazhdueshme sociale dhe ekonomike. Si rezultat, këto veprime vetëm do ta zgjasin pandeminë”, tha ai.