Katër aksionarë të furnizuesit gjigant të Kinës me baterive të automjeteve elektrike kanë bërë në total një pasuri prej 17 miliardë dollarë. Një biznesmen australian ka krijuar nga riciklimi një pasuri me vlerë neto prej 7 miliardë dollarësh. Aksionet me vlerë 10-shifrore në një kompani kamionësh me hidrogjen ka ngritur në majë një miliarder amerikan.
Këto janë ndër 10 pasuritë më të mëdha që kanë ardhur kryesisht nga biznesi në rritje i zgjidhjeve klimatike, sipas të dhënave të përpiluara nga Bloomberg. Me një vlerë neto në total prej 61 miliardë dollarë në fund të vitit 2019 — rreth tre herë kapitalin e tregut të firmës së shërbimeve të naftës Halliburton — miliarderët në këtë listë përfaqësojnë lindjen e një pararoje super të pasurish që janë angazhuar në luftën kundër ngrohjes globale.
Lista ilustron rritjen dhe diversitetin e ekonomisë së gjelbër. Ajo varion nga emrat si kryeshefi i Tesla-s, Elon Musk, te themeluesit e profileve më të ulëta, pas disa prej kompanive më të mëdha të Kinës. Rritja e tyre në kulmin e kapitalizmit është mbështetur nga kërkesa e lartë për investime.
Investimet në bizneset që adresojnë ndryshimin e klimës ose inkurajojnë praktikat e qëndrueshme po rriten. Asetet e menaxhuara duke përdorur një përkufizim të gjerë të kësaj qasjeje – duke integruar faktorët mjedisorë, shoqërorë dhe qeverisës në vendimet për investime – arritën në 30.7 trilionë dollarë në fillim të 2018-s, rreth një e treta më shumë se dy vjet më parë, sipas një raporti të financuar nga një grup kompanish financiare, përfshirë kompaninë mëmë të Bloomberg News, Bloomberg LP. Popullariteti i investimeve të gjelbra, një nga fushat me zhvillim më të shpejtë në financa, tani është aq i madh sa ligjvënësit evropianë po punojnë për rregullore të reja.
“Qëndrueshmëria është tani një ofertë kryesore për shumë nga klientët tanë”, thotë Eléonore Bedel, drejtuese e investimeve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme dhe investimeve të ndikimit në BNP Paribas Menaxhimi i Pasurisë.
Studimi i renditjes zbuloi vetëm një pjesë të pasurive që kanë ardhur nga biznesi mbi klimën, pasuri këto që hyjnë në territorin dhjetë-shifror. Në dekadën e ardhshme ka të ngjarë të ketë shumë më tepër, duke përfshirë edhe kompanitë e reja që po investojnë në energji diellore dhe aeroplanët elektrikë.
Kërkesa në rritje për ushqime me bazë bimore mund të prodhojë së shpejti dy miliarderë: Përtej themeluesit të “Meat”, Etan Broën dhe CEO-s së “Imposible Food”, Patrick Broën, (pa asnjë lidhje me njëri-tjetrin) të dy kanë aksione me vlerë qindra miliona dollarë në kompanitë e tyre përkatëse. Të dy firmat kanë krijuar një treg për zëvendësimin e mishit që nuk vjen me koston mjedisore të bagëtive, e cila përbën 14.5% të emetimeve globale të gazrave serë.
Kjo është një zhvendosje nga narracioni i krijimit të pasurisë që mbizotëroi në shekullin e XX. John D. Rockefeller u bë miliarderi i parë në histori nëpërmjet Standard Oil, i ndjekur me shpejtësi nga dinastitë e ndërtuara mbi emisionet e karbonit si Fords dhe DuPonts.
Por ekonomia e karbonit mbetet mbizotëruese. Biznesmenët e naftës, industrialistët dhe titanët e makinave përbëjnë më shumë se një të katërtën e 500 njerëzve më të pasur në botë, të listuar nga Bloomberg. Kompania më e vlefshme në botë — deri tani është Saudi Aramco, me një vlerë në treg prej 1.8 trilionë dollarë.
Emetimet e gazrave serë janë rritur me një normë prej 1.5% në vit gjatë dekadës së kaluar. Financimi i qeverive për teknologjinë e rinovueshme është zvogëluar, duke shtrydhur shumë nga pasuritë në renditje, ndërsa ato të mbështetura nga karburantet fosile kanë shijuar një rilindje këto vitet e fundit. Prodhuesi i turbinave me erë të Aloys Ëobben Enercon ka thënë se përballet me sfida “të rënda” për biznesin e tij në Gjermani pas një vale mbarëkombëtare sfidash ligjore të nisura kundër parqeve të reja të erës.
“Pasuria e gjelbër është shumë e varur nga teknologjitë inovative që kanë sukses, që do të thotë që këto pasuri mund të zhduken menjëherë”, tha Kingsmill Bond, strateg i energjisë në Carbon Tracker, një grup studimi që shqyrton ndikimin e ndryshimit të klimës në tregjet e kapitalit dhe investimet në karburantet fosile. “Por njerëzit që gdhendin me sukses kamaren e tyre në këtë ekonomi të re do të jenë pronarët e pasurisë së të ardhmes.”
Merrni Mário Araripe, një manjat brazilian që fillimisht ngriti pasuri me pronat para se të kalonte në premtimin fitimprurës të energjisë së erës. “Himni kombëtar i Brazilit thotë se vendi është një gjigant për nga natyra”, tha ai në 2017. “Njerëzit gjithmonë mendonin se kjo është menduar për shkak të arit ose thesareve të tjera nëntokësore, por unë nuk e besoj këtë. Unë mendoj se është për shkak të erës”.
Pasuri të tilla të qëndrueshme ka të ngjarë ta forcojnë kapitalin. Investitorët, veçanërisht kompanitë familjare të super të pasurve, po e bëjnë gjithnjë e më shumë qëndrueshmërinë qendër të strategjive të tyre.
Nëse ky trend vijon, ai mund të zhbëjë tërësisht klasifikimin aktual të pasanikëve të botës.
Ata që janë pasuruar më shumë me biznesin e klimës
Zeng Yuqun, Huang Shilin, Pei Zhenhua, Li Ping – Kinë. Kompania CATL, vlera 16.6 miliardë dollarë, të gjitha nga biznesi i gjelbër.
Elon Musk – Kompania Tesla, SHBA. Pasuria 27.6 miliardë, pasuria nga biznesi i gjelbër 14.6 miliardë dollarë
Aloys Wobben – Kompania Enercon, Gjermani. Parusia 7.3 miliardë dollarë, pasuria nga biznesi i gjelbër 7.3 miliardë dollarë
Anthony Pratt – Kompania Pratt Industries, Australi. Vlera 6.8 miliardë dollarë, e gjitha nga biznesi i gjelbër
Li Zhenguo, Li Chunan, Li Xiyan – Kompania Longi, Kinë. Pasuria 3.4 miliardë dollarë, të gjitha nga biznesi i gjelbër.
/ Bloomberg /TemaTv/ Përgatiti: Gazmira Sokoli