Paul Pogba po përjeton një nga momentet më të vështira të karrierës. E pranon diçka të tillë vetë francezi në një intervistë të dhënë së fundmi. Gjërat te Manchester United nuk po shkojnë siç do të kishte dashur ish-futbollisti i Juventusit dhe eksperienca me kombëtaren franceze përfaqëson për të një mënyrë arratisjeje për të hequr mendimet e këqija.
“Nuk kam përjetuar kurrë një periudhë kaq të komplikuar në karrierën time sportive, – pranoi Pogba duke shtuar, – Për mua, të vij dhe të luaj me kombëtaren franceze është si një frymëmarrje oksigjeni. Jemi një familje, jemi të gjithë shumë të afërt. Grupi është magjik dhe i jashtëzakonshëm, fitorja kundër Portugalisë ishte një moment special, pasi treguam pjekuri. Kam provuar të njëjtat ndjesi sikur fituam Botërorin. Deschamps na kishte paralajmëruar se pas triumfit në Kupën e Botës jetët tona do të ndryshonin dhe kështu ndodhi. Tani objektivi është të fitojmë Europianin”.
Gjithsesi, për mesfushorin është mirë që të gjejë ekuilibrin e duhur dhe të ndryshojë rutinën e tij te Manchester United, në mënyrë që të mund të rigjejë qetësinë dhe të japë 100 për qind të kapacitetit të tij në fushën e blertë.