Vazhdon seria e replikave midis Gazmend Bardhit dhe Damian Gjiknurit pas akuzave të demokratit mbi udhëtimet që ministri socialist akuzohet të ketë bërë me njerëz të lidhur me inceneratorët.
Pasi Gjiknuri deklaroi se do të padiste sekretarin e përgjithshëm të PD-së për ato që cilësoi si shpifje ndaj tij, sot Bardhi i rikthehet polemikës.
“Damian Gjiknuri ka bërë shumë mirë që ka ndjekur këshillën time për të marrë avokat, do i duhet për gjatë, veçanërisht për në SPAK. Mirëpres çdo padi ndaj çdo deklarate time nga dita e parë e angazhimit në politikë, e deri në ditën e fundit. Mezi pres seancat gjyqësore për të dorëzuar provat e pakontestueshme që paraqita dje në Kuvend dhe shumë të tjera që për efekt kohe nuk munda”.
Bardhi thekson edhe një episod që cilëson si kurioz, dhe pohim i fajit nga eksponenti i mazhorancës. “E vërteta të ka bërë të pohosh sikur unë kam thënë se ke bërë 17 udhëtime me mafiozët e inceneratorëve, kur unë të listova vetëm 15 udhëtime. Në fakt janë fiks 17, sepse dje nuk përfshiva ato të datës 01.09.2010 dhe 27.01.2012. Faleminderit që më konfirmon”, shkruan demokrati në Facebook.