Cristiano Ronaldo akuzoi redaktorin e “France Football”, Pascal Ferré, se ka gënjyer kur deklaroi që sulmuesi portugez e ka fiksim që të mbyllë karrierën me më shumë Topa të Artë sesa Lionel Messi.
Ferré, i cili është edhe njeriu që organizon ceremoninë dhe dorëzon trofeun prestigjioz individual, tha për “New York Times” se këtë informacion e kishte marrë nga një bisedë private me Ronaldon. “Ambicia e tij e vetme është të tërhiqet nga futbolli me më shumë trofe se Messi. E di këtë, sepse ma ka thënë vetë”, tha Ferré.
Ronaldo, i cili nuk u paraqit në ceremoninë e së hënës, ku u rendit i gjashti, duke mbetur jashtë treshes kryesore për herë të parë që prej vitit 2010, postoi një mesazh në Instagram ku përgënjeshtronte deklaratën e gazetarit.
“Rezultati i sotëm shpjegon pse ai bëri atë deklaratë një javë më parë”, shkroi Ronaldo. “Pascal Ferré gënjeu, përdori emrin tim për të promovuar veten dhe revistën për të cilën punon. Është e papranueshme që një person përgjegjës për një çmim kaq prestigjioz të gënjejë në këtë mënyrë, duke treguar mungesë respekti për një njeri që gjithmonë ka respektuar “France Football” dhe Topin e Artë”. Gjithashtu, gënjeu sërish duke justifikuar mungesën time me një detyrim për karantinë, që nuk ekziston”.
Topi i Artë është një trofe individual që jepet pas votave të 180 gazetarëve. Messi fitoi për herë të shtatë trofeun të hënën në mbrëmje, ndërsa Ronaldo e ka fituar pesë herë. Trofeu i këtij viti u kritikua pasi pati shumë diskutime nëse Messi e meritonte çmimin, apo duhet ta merrte Robert Lewandowski, i cili shënoi 53 gola gjatë vitit kalendarik.