Ky është 25-vjeçari Klodjan Rasha, i cili mbeti i plagosur dhe më pas ndërroi jetë në spital, pasi u qëllua nga një polic pak pas mesnate, pasi nuk i është bindur urdhrit të këtij të fundit për të ndaluar.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 në një nga rrugicat, në afërsi të Laprakës në Tiranë, teksa i riu ka qenë duke lëvizur në këmbë.
Policia bën të ditur se gjatë patrullimit ata kanë konstatuar se Rasha kryente veprime të dyshimta, ndaj edhe i kanë bërë thirrje të ndalonte, por personi nuk i është bindur urdhrit dhe është përpjekur të largohet me vrap duke i drejtuar policit një send të fortë në dukje armë zjarri.
Policia informon se i gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë një efektiv policie ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur Klodjan Rasha, i cili ka humbur jetën në spital.
Ai mësohet se ka marrë dy plumba, një në shpatull dhe një në kokë, ndërsa është gjetur i gjakosur në këtë vend. Gjithashtu policia njoftoi se ka gjetur edhe armën e zjarrit, një pistoletë që dyshohet se i përkiste 25-vjeçarit, por familjarët e tij mohojnë që Klodjan Rasha të ketë patur armë zjarri me vete.
Policia ka bërë shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të efektivit të vet, me inicialet N.H, ndërsa Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.