Aktualitet “Policia dy herë përgjegjëse për tragjedinë në Himarë,” Nano kërkon dënim maksimal...

“Policia dy herë përgjegjëse për tragjedinë në Himarë,” Nano kërkon dënim maksimal për efektivin që vrau 7-vjeçaren

Pa tragjedisë së ndodhur ditën e djeshme ku një 7-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga një skaf me drejtues Arjan Tase në bregun e detit të Potamit, në të gjithë vijën bregdetare të vendit ka nisur një operacion policor për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe. Të përfshira në operacion: Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

Policia bën me dije se operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit.

Ky operacion drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, i cili ndodhet në Dhërmi, duke monitoruar zbatimin e detyrave të përcaktuara në këtë plan operacional.

Gjatë këtij operacioni, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcjellë edhe një mesazh për qytetarët:

“Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës.

Dje, pas analizës së kryer nga grupi i inspektimit, kam marrë masë për shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të drejtuesve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, si persona përgjegjës, me neglizhencën e tyre, në moszbatimin e masave shtesë të urdhëruara po nga unë, disa ditë më parë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Ky inspektim do të vazhdojë, analiza do të vazhdojë dhe do të shtrihet edhe më tej.

Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror”.