Policia e Elbasanit ka publikuar të dhëna mbi ndjekjen e një personi të dyshimtë, i cili përplasi 4 makina të tjera duke shkaktuar 5 të plagosur.
Policia mohon të ketë pasur shkëmbim zjarri gjatë ndjekjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 04.02.2020, rreth orës 09:00, Salla e Drejtimit Korçë, ka njoftuar Sallën e Drejtimit të DVP Elbasan se mjeti tip Pasat i zi me targa Greke IEH 3922, nuk i ka ndaluar shërbimeve të policisë Korçë dhe Pogradec dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Elbasanit.
Menjëherë në Librazhd është ngritur pikë kontrolli e përforcuar , por drejtuesi i mjeti sa ka parë policinë ka marrë përpara sinjalistikën e vendosur në rrugë sipas procedurës për pikë kontrolli dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe ka vijuar me shpejtësi të madhe në drejtim të Elbasanit.
Shërbimet e Policisë së Librazhdit janë vënë në ndjekje të mjetit deri në Elbasan duke mbajtur komunikim me shërbimet policisë në Elbasan.
Forcat Shqiponja, ato të Patrullave të Përgjithshme dhe të Qarkullimit Rrugor, në hyrje të qytetit Elbasan në aksin rrugor Librazhd -Elbasan, kanë ngritur pikë kontrolli duke kontrolluar rrugën,.
Drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet duke goditur makinën e policisë dhe dy mjete të tjera. Si pasojë është plagosur jashtë rrezikut për jetën një punonjës policie dhe 4 shtetas.
Drejtuesi i mjetit shtetasi A. Sh, 27 vjeç, banues në Gjirokastër është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme. Ky drejtues mjeti edhe në vitin 2018, ka kryer të njëjtat veprime duke mos ju bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar.
Nga kontrolli i mjetit nuk u gjetën armë apo lëndë narkotike por vetëm disa targa automjetesh. Theksojmë se nuk ka patur asnjë të shtënë me armë zjarri gjatë ndalimit të automjetit.