Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se policia ka parandaluar një sulm terrorist. Ai shprehet se një makinë me targa Beogradi është kapur në Zveçan brenda së cilës kishte sasi të mëdha armatimesh.
“Falë angazhimit intensiv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zveçanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”, shkruan Sveçla.
Sipas ministrit të brendshëm të gjitha këto mjete “kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas Sveçlës, rasti në fjalë konfirmon se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.