Policia e Krujës ka goditur një rast të tentativës së mbjelljes së kanabisit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Mafsheq.
Policia ka mundur të sekuestrojë 782 kubikë, të mbushur me dhé dhe fara kanabisi në proces mbirjeje.
Policia në bashkëpunim me prokurorinë, po vijojnë veprimet hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
“Si rezultat i kontrolleve në zbatim të planit operacional të koduar “Territor i pastër”, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare, të kultivimit të bimëve narkotike, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale.
Skuadrat policore të ngritura në kuadër të operacionit “Territor i pastër”, konstatuan në një territor të fshatit Mafsheq, Krujë, një serë të improvizuar, brenda së cilës u gjetën 782 kubikë, të mbushur me dhé dhe fara të dyshuara narkotike kanabisi, në proces mbirjeje. Kubikët u sekuestruan në cilësinë e provës material”, thuhet në njoftimin e policisë.