Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar pasi Policia e Shtetit i refuzoi lejen për protestën e 6 dhjetorit.
Në një komunikim me qytetarët, ai tha se Policia e Shtetit po e trajton samitin e liderëve të BE sikur këtu të mblidheshin të gjithë diktatorët e botës.
Berisha e ka konsideruar nul njoftimin e policisë duke shtuar se populli opozitar të martën e 6 dhjetorit në orën 12:00 do të mbushë Bulevardin.
“Policia njoftoi se nuk njeh Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Lidhur me këtë njoftim i rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Krahas kësaj ka një vendim të GJK në të cilin ajo vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim t’i drejtohet dhe të njoftojë policinë. Së treti, policia e Shtetit po e trajton samitin e liderëve të BE sikur këtu të mblidheshin të gjithë diktatorët e botës në një kohë kur të gjithë ata që vijnë në Tiranë, përveç Ramës, janë të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të tyre.
Ai refuzim është nul, tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi që është i tmerruar nga populli opozitar që më 6 dhjetor do mbushë Bulevardin si kurrë më parë në historinë e tij. në orën 12:00 do të vërshojnë të gjithë ata që ëndrrën evropiane e kanë ëndrrën kryesore.”- tha ai.