Aktualitet Policia e Tiranës akuzohet për dhunë ndaj protestuesve dhe se prangosi një...

Policia e Tiranës akuzohet për dhunë ndaj protestuesve dhe se prangosi një person me aftësi ndryshe

Pamje nga protesta e zhvilluar ditën e sotme

Nga Gjergj Erebara– BIRN

Gjykata e Tiranës liroi të dielën më 13 mars 34 prej protestuesve të ndaluar nga policia e Tiranës gjatë protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit nga qytetarët, kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe të produkteve të tjera të konsumit të përditshëm.

Gjyqtarët Migena Laska dhe Gerd Hoxha kanë vlerësuar të ligjshëm ndalimin e të gjithë qytetarëve të arrestuar prej mbrëmjes së të enjtes e në vijim, ndërsa kanë vendosur të caktojnë masën e sigurisë “detyrim për tu paraqitur” për veprën penale “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Përfaqësuesit ligjorë të protestuesve të ndaluar i cilësuan arrestimet të paligjshme, të dhunshme dhe të urdhëruara politikisht me qëllim intimidimin e tyre.

“Ne i quajmë arrestimet e paligjshme sepse janë bërë duke u ushtruar dhunë ndaj personave që kanë qenë duke protestuar paqësisht në trotuar. Nuk kemi asnjë të dhënë në lidhje me dhunën e ushtruar nga protestuesit ndaj institucioneve publike, qoftë edhe ndaj forcave të rendit. Nga ana tjetër ne jemi dëshmitarë të gjithë se shumica e arrestimeve janë bërë nga persona civilë duke ushtruar dhunë ndaj protestuesve”, deklaroi për mediet avokatja e disa prej të ndaluarve, Adriana Kalaja dhe shtoi se do të kryenin kallëzim penal ndaj të gjithë punonjësve të policisë që sipas saj kishin shkelur ligjin dhe tejkaluar detyrën.

“Prokuroria nuk kishte asnjë provë sot, por u bazua në procesverbalet e mbajtura në komisariate se nga disa të ndaluar është kërkuar bllokimi i rrugëve dhe është bllokuar kësisoj qarkullimi i mjeteve. Do t’i çojmë në ndjekje penale dhe të tregojmë që dhe kur Policia e Shtetit shkel ligjin duhet të shkojë përpara ligjit”, pohoi Kalaja.

Policia e Tiranës nuk ju përgjigj pyetjes për koment që BIRN i drejtori përmes zëdhënëses lidhur me pretendimet e avokatëve për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. “[…]Për çdo pyetje që keni, dërgoni kërkesën zyrtare dhe do merrni përgjigjet përkatëse”, shkroi përmes aplikacionit Whatsapp zëdhënësja për shtyp e policisë së Tiranës, Nefarda Madani pasi ju drejtua pyetja për koment.

Për një prej të ndaluarve për të cilin është konstatuar në seancë se ishte me aftësi ndryshe, megjithëse u vlerësua i ligjshëm ndalimi, gjykata ka vendosur të mos caktojë masë sigurie duke e liruar menjëherë.

Avokati Florenc Tafo sqaroi për BIRN se i përfaqësuari prej tij, i cili ka është ndaluar teksa po qëndronte paqësisht në bulevard, është person me aftësi ndryshe. “Duket qartë nga mënyra se si ai artikulon. As nuk flet dot, as nuk të thotë dot datëlindjen e vet, nuk e di. Policia në atë moment kur ka bërë ndalimin, e ka arrestuar, e ka çuar në drejtori për katër ditë ka ndenjur atje, pa ujë, pa ngrënë pa asnjë dhe një gjë. Nga familjarët nuk është pranuar as dhe një gjë”, deklaron Tafo dhe sqaron se policisë i është bërë i ditur ky fakt, por nuk është marrë në konsideratë.

“Vërtetohet në bazë të kartelës së lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Është bërë ndalimi. Kemi vajtur unë si përfaqësues ligjor, kemi çuar kartelën që ai është realisht i sëmurë, por policia nuk na e ka pranuar duke bërë direkt ndalimin e personit që ka qenë me aftësi të kufizuara. ‘Për ne është shumë ok’, na tha policia. Por ai shihet qartë, kushdo që të vijë që ta shikojë dhe vizitojë, duket që ka probleme të theksuara të shëndetit mendor”, pohoi Tafo dhe kërkoi që Ministria e Brendshme të verifikojë dhe të marrë masa ndaj oficerit të policisë gjyqësore që ka marrë deklaratën e të përfaqësuarit prej tij dhe që ka vendosur ndalimin.

“Pasi personi që ka ndaluar është me aftësi mendore të kufizuara. Kërkojmë që të merren masa disiplinore për oficerin që ka bërë ndalimin. Presim një përgjigje nga policia”, përfundoi Tafo. Edhe avokatja Kalaja deklaroi për mediet se dukej qartë gjatë seancës për caktimin e masave të sigurisë se, një prej të ndaluarve ishte me aftësi ndryshe.

Fragment i kartelës mjekësore të një prej të arrestuarve nga Policia e Shtetit. Foto BIRN

Policia e Tiranës mohoi të kishte pasur dijeni se personi në fjalë ishte me aftësi ndryshe. “[…]Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, kanë kryer veprimet e para procedurale për personat që kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, prishur rendin dhe qetësinë publike si dhe organizuar grumbullime e manifestime të paligjshme dhe asnjë prej të proceduarve apo të arrestuarve nuk ka paraqitur dokumente që është me aftësi ndryshe”, iu përgjigj pyetjes për koment zëdhënësja Madani.

Prej të mërkurës kur u zhvillua protesta e parë e qytetarëve kundër rritjes së menjëhershme të çmimeve të karburanteve dhe produkteve bazë të konsumit, policia shoqëroi në komisariate mbi 200 persona nga të cilët rreth 50 u arrestuan dhe 15 të tjerë u shpallën në kërkim.

Për kryerjen e ndalimeve policia përdori punonjës të veshur civilë dhe të maskuar, të cilët ndanë nga grupi protestuesve të rinjtë që më pas u shoqëruan me forcë në furgona policie. Arrestime u kryen dhe në qytete të tjera ku u zhvilluan protesta të ngjashme, ku numrin më të lartë e njoftoi Policia e Dibrës.

Ndalimet u cilësuan shqetësuese nga Avokati i Popullit që nëpërmjet një komunikate për shtyp i kërkoi policisë të mos pengonte protestat paqësore. Ndërkohë aktivistë dhe protagonistë në protesta i cilësuan ndalimet nga policia si përpjekje për të trembur protestuesit.

Protestat nisën të mërkurën më 9 shkurt, pasi kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht të martën se rritja e çmimit të naftës nuk varej nga qeveria shqiptare, por nga tregu që ishte ndikuar nga lufta në Ukrainë. Pas fillimit të protestave, kryeministri Rama u detyrua të kthehet nga një udhëtim në Dubai dhe të premten në një takim të pazakontë me një grusht njerëzish të cilët i prezantoi si “furnizuesit me naftë”, premtoi çmim tavan të karburanteve.

Përgjatë ditëve të fundit, konkurrenca e kufizuar në tregun hidrokarbur të vendit duket se u shfaq me rritje të menjëhershme dhe të njëtrajtshme të çmimeve nga 220 lekë për litër në fillim të javës në 290 lekë për litër për disa orë mbrëmjen e së mërkurës. U deshën 48 orë që çmimet të ktheheshin sërish në kuotën e fillimit të javës, pasi qytetarët protestuan në Tiranë, Durrës, Berat, Sarandë, Bulqizë, Shkodër, Lezhë dhe Lushnje.