Ministria e Brendshme nëpërmjet një shkrese i është ankuar Prokurorisë së Përgjithshme për mungesën e lëndës narkotike të nevojshme për të trajnuar qentë e policisë.
Ministria e Brendshme ankohet ndaj prokurorëve se nuk u ka vënë në dispozicion drogë për qentë.
Për këtë arsye, Kryeprokurori Olsian Çela u ka dërguar një letër drejtuesve të prokurorive në rrethe për të pasur me tepër bashkëpunim me uniformat blu.
Kryeprokurori Çela u ka kërkuar prokurorëve që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me policisë për të gjitha rastet për t’i informuar mbi çështje ku janë sekuestruar lëndë narkotike, që të mos asgjësohet, por t’u vihet atyre në dispozicion.
Qentë çdo ditë bëjnë stërvitje për të mos humbur aftësitë apo reflekset. Ata duhet të jenë në kontakt me drogën, kufomat, eksplozivin apo eurot, në mënyrë që të mos harrojnë erën e tyre.
Kur dalin në aksion, qentë e dinë se çfarë duhet të kërkojnë. Në momentin që ai ndien erën e drogës dhe lëndëve të tjera, që është specializuar, ulet aty dhe nuk lëviz deri sa policia ta gjejë.