Këto janë momentet kur dy efektivë të policisë së Korçës futen me vinç nga ballkoni për të arrestuar brenda në shtëpinë e tij Samuel Pengun.
30-vjeçari u arrestua pasi akuzohet se orët e para të kësaj të mërkure i vuri flakën një makine. Në momentin e ndërhyrjes, policia thotë se i riu bëri rezistencë, megjithatë në fund, siç shihet edhe në pamje, dy efektivët e nxorën të prangosur nga dera e shtëpisë.
Pengu rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit dhe të armëmbajtjes pa leje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, në lagjen nr. 10, të qytetit të Korçës, ku u dogj automjeti në pronësi të shtetasit G. S., bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar. Si rezultat, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Samuel Pengu 30 vjeç, banues në Korçë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit dhe të armëmbajtjes pa leje).
Nga veprimet hetimore dhe nga provat e siguruara rezultoi se ky shtetas i ka vënë zjarrin automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit G. S., dhe për pasojë automjeti është djegur pjesërisht. 30-vjeçari, në momentin kur forcat e Policisë ndërhynë në banesë me qëllim kapjen e tij, ka bërë rezistencë ndaj tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia e Korçës.