Pas kapjes në det të një gomoneje me 650 kg kanabis policia e Vlorës në bashkëpunim me Delta Forcën, DVP Vlorë dhe Guardia di Financën vijuan operacionin për të zbuluar nga ishte nisur kjo sasi droge. Në det u kapën dy shtetas që po e transportonin, por operacioni ka vijuar me krehjen e zonës ku dyshohet se është nisur gomonia që u sekuestrua me lëndë narkotike.
Si rezultat i krehjes së zonës nga Delta Forcë, Policia Kufitare Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe GdF u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i sasisë tjetër të lëndës narkotike Cannabis Sattiva gati për tu trafikuar.
Lënda narkotike u gjet pranë ”hidrovorit” në Akërni, Novoselë, të fshehur në një zonë pyjore, 29 pako të mëdha me peshë 20 deri në 25 kilogramë secila.
Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 48 bidona me benzinë me nga 60 litra secili, si edhe një mjet tip furgon të markës ”Iveko”, bosh.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy personat e kapur në Itali në operacionin e përbashkët, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ku për arsye hetimi nuk jepen të dhëna për ta do të trafikonin në Itali edhe këtë sasi lënde narkotike të sekuestruar në Akërni.
Vijon operacioni dhe shkëmbimet intensive të informacioneve me Zyrën Interforcë të Policisë italiane dhe Guardia di Finanza.