Policia në shtetin jugor amerikan të Tenesisë tha se personi që vrau tre fëmijë dhe tre të rritur në një shkollë fillore të krishterë të hënën, kishte grumbulluar informacione përpara sulmit. Presidenti Joe Biden i kërkoi përsëri Kongresit të miratojë legjislacionin për ndalimin e armëve sulmuese.
Policia në qytetin Neshvill publikoi një video nga shkolla që tregon personin që kreu sulmin, duke hapur zjarr ndaj portës prej xhami dhe duke ecur nëpër korridore, me një armë gjysmë automatike.
Motivi i sulmit në shkollë nga personi, për të cilën policia thotë se kishte qenë nxënëse në këtë shkollë, nuk dihet ende. Shefi i policisë së Neshvillit u tha gazetarëve të hënën në mbrëmje, se autorja e sulmit, e cila u vra nga policia, kishte vizatuar një hartë të detajuar të shkollës, duke përfshirë pikat e mundshme të hyrjes.
“Kemi një manifest. Kemi gjithashtu disa shkrime, që po i shqyrtojmë, që kanë të bëjnë me incidentin aktual. Kemi një hartë të skicuar se si do të ndodhte sulmi. Tani për tani ekziston një teori për të cilën mund të flasim më vonë, por nuk është konfirmuar, kështu që do ta bëjmë atë sa më shpejt që të mundemi”, tha shefi i policisë së Neshvillit, John Drake.
Policia thotë se vrasësja ishte e armatosur me të paktën dy armë gjysmë automatike dhe një pistoletë.
Duke e cilësuar vrasjen si makthin më të keq për një familje, Presidenti Joe Biden i kërkoi përsëri Kongresit të miratojë ligjin për ndalimin e armëve të sulmit.
“Duhet të bëjmë më shumë për të ndaluar dhunën me armë. Ajo po i copëton komunitetet tona, po i këput shpirtin këtij kombi. Duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur shkollat tona në mënyrë që ato të mos kthehen në burgje. Autorja e sulmit në këtë rast, thuhet se kishte dy armë AK-47 dhe një pistoletë. Kështu që unë i bëj thirrje Kongresit përsëri të miratojë ndalimin e armëve sulmuese”, tha ai.
Zonja e parë Jill Biden foli gjithashtu të hënën, duke thënë në një konferencë të Ligës Kombëtare të Qyteteve në Uashington, se “fëmijët tanë nuk e meritojnë këtë”.
Kryetari i bashkisë së Neshvillit, John Cooper shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke shtuar se “i gjithë qyteti qëndron me ta”.
Vitin e kaluar, të shtënat masive në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit, lanë të vdekur 21 persona./VOA