Policia e Elbasanit reagoi zyrtarisht pas rastit të rëndë të ndodhur një ditë më parë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjen. Policia thotë se ky i fundit ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.
Mësohet se pasi ka kryer ekzekutimin e Lleshit, Mjacaj ka kërcënuar me armë zjarri gardianët e burgut.
“Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të shtetasit Sokol Mjacaj, 28 vjeç”, njoftoi policia këtë të shtunë.
Hetimet kanë sjellë edhe ndalimin e 12 punonjësve të këtij institucioni. Mes tyre është edhe drejtori Kamber Hoxha, 59 vjeç. Mbi ta rëndon vepra penale e shpërdorimit të detyrës.
“Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të shtetasve:
-Kamber Hoxha, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
-Q. M., 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
-Nikolin Gjonpalaj, 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
-V. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
-A. D., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
-I. B., 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. M., 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. P., 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-G. M., 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
-K. H., 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
-E. Ç., 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
-I. D., 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin”, njoftoi policia.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit dhe thotë se ka marrë edhe prova të tjera materiale që pritet t’i shërbejnë hetimit.
Mjacaj ka deklaruar pas ngjarjes se e ka kryer vrasjen për shkak të një sherri që kishte me Arben Lleshin. Sipas 28-vjeçartit ky i fundit nuk e ka pranuar në sektor. Megjithatë, pavarësisht kësaj dëshmie, hetuesit dyshojnë se ngjarja është e mirëorganizuar dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë porositur.
Për zbardhjen e ngjarjes po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ndonëse, një pjesë e tyre, sipas stafit të burgut, nuk punonin.
Viktima Arben Lleshi ishte duke vuajtur një dënim të dhënë nga drejtësia Britanike, për vrasjen e një shtetasi në vitin 2012. Ndërsa Indrit Shaqja, është dënuar për vrasjen e dy të moshuarave në vitin 2014 në Durrës, të cilave iu fut në banesë për t’i grabitur.
Për grabitje të dhunshme me pasojë vdekjen është dënuar edhe autori kësaj ngjarje, Sokol Mjacaj, i cili grabiti e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre dy turistë çekë në 2015.