Një 40-vjeçar me rrezikshmëri të lartë lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit dhe të vjedhjes me armë është arrestuar në Lezhë.
Në kuadër të operacionit të koduar “GODULL 2020” u vu në pranga shtetasi me iniciale A.J.,alias A.Zh.
Operacioni u zhvillua në kushte të larta sigurie, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Godull, ku forcat e Policisë rrethuan banesën e 40-vjeçarit.
“Shtetasi i lartpërmendur ishte person i shpallur në kërkim kombëtar nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi Gjykata e Shkallës Parë Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës në Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grabitja me armë ”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 20 vjet burg.
Materialet i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.