Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar mëngjesin e kësaj të shtune tek blloku i pallateve të ndërtuara tek ish-kompleksi “Partizani”, sot i njohur si kompleksi “Magnet”, në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë.
Përfaqësues të Krimit Ekonomik ndodhen në brendësi të kompleksit me qëllim për të zbatuar vendimin e shkallës së parë të GJKKO për sekuestrimin e pasurive të dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi.
Me urdhër të SPAK Malltezit i janë sekuestruar në total 25 pasuri, prona të paluajtshme si edhe 6 llogari bankare, me një vlerë afro 250 mijë euro.
Oficerët e OPGJ-së u panë paraditen e të hënës në vilën në Gjirin e Lalëzit në pronësi të dhëndrit të ish-kryeministrit, si dhe pasdite në pronat e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”.
Malltezi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Për të njëjtën çështje GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për Sali Berishën dhe sipërmarrësin Fatmir Bektashi.
Berisha është thirrur për t’u marrë në pyetje nga GJKKO në orën 14:00 të kësaj të marte, ndërkohë që nuk dihet ende nëse ai do t’i përgjigjet njoftimit të gjykatës.