Gazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar dje një lajm sipas të cilit policia pak kohë më parë ka shoqëruar në rajon shoferin e ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili drejtonte makinën ku ishte edhe bashkëshortja e ministrit.
Duke folur në emisionin “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News 24, ai tha se ministri Koka i është ankuar ministrit Sajmir Tahiri lidhur me këtë ndalim të shoferit të tij.
Hoxha tha gjithashtu se pas kësaj ngjarje, e cila është diskutuar edhe në Këshillin e Ministrave, ka ardhur edhe porosia e Petrit Vasilit, i cili i ka kërkuar ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të Bashkive që të kenë kujdes sepse policia mund të tentojë tu fusë drogë në makinë.
Deklarata e Artan Hoxhës
Kam një rast që nuk është publikuar në media, por që ka qenë një incident që edhe në mbledhjet e Këshillit të Ministrave është përmendur. Unë nuk e di nëse ka qenë skuadra e operacioneve speciale apo kanë qenë forcat e ndërhyrjes së shpejtë, por kanë shoqëruar truprojën e ministrit të Mjedisit Lefter Koka.
Në makinë ka qenë edhe bashkëshortja e tij. Ndërkohë që shoferi është punonjës i Gardës, ka pasur dokumentacion, ka pasur leje arme dhe leje qarkullimi. Ka qenë edhe një përfaqësues juridik i biznesit që ka zoti Koka.
Kjo histori ka përfunduar me shoqërim në polici. Fakti që u shoqëruar në polici dhe është ndërhyrë me maska…i kanë thënë për një verifikim dhe më pas e kanë lënë të lirë.
Kjo histori ka krijuar problem dhe prandaj është përmendur Këshilli i Ministrave dhe zoti Koka është ankuar “pse duhet të ma bëni këtë gjë?”. Zoti Tahiri ka thënë se “është një keqkuptim dhe unë mesa kam komunikuar me drejtorin e Policisë më ka thënë që kjo është një keqkuptim”.
Kjo nuk është kapërdirë kaq lehtë.
Me sa di unë në atë mbledhje ka folur edhe ish-ministri Manjani i cili ka thënë që këto janë metoda për të na krijuar probleme sepse policia nuk mund të ndërhyjë te makinat dhe gratë tona.
Po ta lidhësh pastaj me porosinë që ka dhënë Petrit Vasili që “kini kujdes se policia mund të na vendosë nëpër makina lëndë narkotike…”. Policia ka pasur informacion që një makinë deputeti është përdorur për të tilla gjëra”.