Bota Policia spanjolle dhe Europol çmontojnë “bankën” më të madhe të narko-trafikut në...

Policia spanjolle dhe Europol çmontojnë “bankën” më të madhe të narko-trafikut në Europë

Policia Kombëtare e Spanjës (Policía Nacional) dhe Agjencia e Taksave (Agencia Tributaria), me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, kanë çmontuar një grup të krimit të organizuar që besohet se drejton “bankën e drogës” më të madhe në Evropë.

Rrjeti kriminal përbëhej kryesisht nga shtetas sirianë dhe kolumbianë dhe menaxhonte këtë “bankë”, e cila ofronte shërbime financiare për organizatat kriminale të lidhura me trafikun e drogës në më shumë se njëzet vende. Banda kishte filluar aktivitetin e saj që në vitin 2020.

Sipas mediave të huaja, banka vlerësohet të ketë pastruar më shumë se 300 milionë euro në vit.

Në këtë operacion u përfshin 200 oficerë të cilët bënë kontrolle në 21 vende në provincat spanjolle të Malaga dhe Toledos.

Ata arrestuan 32 të dyshuar dhe sekuestruan pasuri me vlerë gati 3 milionë euro.

Konkretisht janë konfiskuar:

428 205 euro cash

19 llogari kriptomonedhash me vlerë 1.5 milionë euro

11 automjete luksoze

70 kg hashash, 1.2 ton marihuanë dhe një plantacion me 995 bimë marihuanë.

Si funksiononte narko-banka

Bankierët kriminelë kishin krijuar një rrjet financiar me lidhje ndërkombëtare dhe u mundësonin klientëve të tyre të bënin pagesa, të merrnin fonde dhe të pastronin të ardhurat e tyre.

Kriminelët i “drejtuan” operacionet e tyre nga një restorant lokal, ku klientët shkonin për të depozituar ose mbledhur para të gatshme, të cilat menaxhoheshin kryesisht nga profesionistë kinezë.

“Bankierët” përdorën sistemin informal të transfertave të parave ‘Hawala’ për të legjitimuar të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme dhe për të shmangur kontrollet e ligjit.

Sipas hulumtimit të FMN-së dhe Bankës Botërore, Hawala është një sistem joformal i transferimit të fondeve (IFT), i cili është veçanërisht i popullarizuar kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore.

Operacioni nga autoritetet spanjolle zgjati mbi dy vjet dhe u krye me mbështetjen e Europolit.