Aktualitet Policia tërhiqet pas presionit publik, arreston 40-vjeçarin që dhunoi rojën e shkollës...

Policia tërhiqet pas presionit publik, arreston 40-vjeçarin që dhunoi rojën e shkollës në Elbasan

Policia e Elbasanit, e cila më herët pati lëshuar një deklaratë të rreme për shtyp në lidhje me dhunën e ushtruar nga një 40-vjeçar ndaj rojës së një shkolle publike, njoftoi se kishte arrestuar dhunuesin. Ndryshimi i në qëndrim prej policisë erdhi pas reagimit të prindërve dhe publikut pas transmetimit të një video që tregonte ngjarjen.

Nga Bardha Nergjoni – BIRN

Një 40-vjeçar, i cili dhunoi me grushte rojën e një shkolle publike në Elbasan u arrestua të shtunën 4 ditë pas ngjarjes, ndërsa policia u detyrua të korrigjonte qëndrimin e saj fillestar ndaj ngjarjes dhe përgënjeshtronte deklaratën e parë për shtyp. Arrestimi u bë  me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, pas reagimit të qytetarëve dhe këshillit të prindërve të shkollës.

40-vjeçari Durim Koçi u filmua më 14 shkurt ndërsa qëlloi me grushte ndaj rojës së shkollës “Qamil Guranjaku” në oborrin e shkollës dhe në prani të nxënësve të tjerë. Roja, 70 vjeç, përfundoi në spital me disa qepje në nofull. Megjithatë po atë ditë policia e Elbasanit lëshoi një deklaratë sipas të cilës Koçi do të ndiqej në gjendje të lirë dhe e përshkroi incidentin si goditje me shuplakë.

Por pas deklaratës së policisë video e ngjarjes rrodhi në media, duke sjellë reagim të ashpër nga qytetarët. Këshilli i prindërve dhe mësues të shkollës Qamil Guranjaku reaguan duke kërkuar siguri për nxënësit dhe akuzuar policinë për përpjekje për të minimalizuar ngjarjen.

Drejtuesi i Këshillit të Prindërve të shkollës ‘Qamil Guranjaku’, Robert Gajda tha në një reagim publik pas një mbledhjeje të prindërve dhe të stafit të shkollës të zhvilluar pasditen e së premtes u kërkoi institucioneve të vepronin për të garantuar sigurinë në shkolla dhe kritikoi policinë për qëndrimin e saj.

“Komunikata e policisë është një komunikatë minimaliste, e cila flet thjesht për një shuplakë, ndërkohë që është ushtruar dhunë dhe personi ka marrë mjekim në spital. Shkolla aktualisht nuk ka asnjë person sigurie”, tha Gajda.

Një ditë pas reagimit të prindërve dhe publikut Prokuroria e Elbasanit lëshoi urdhër arresti për Koçin, që e akuzon për “veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës” e kryer në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën”. Pas urdhrit të prokurorit, policia është tërhequr nga qëndrimi fillestar dhe në deklaratën e dytë pranon dhunën e ushtruar dhe njoftoi arrestimin e të akuzuarit.