Policia e Lezhës ka zbardhuar konfliktin e ndodhur ditën e djeshme në ambientin e një karburanti, ndërsa ka vënë në pranga 3 personat e përfshirë.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit:
Migjen Mulaj 37 vjeç, banues në Kosovë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”.
Nikoll Sokoli 61 vjeç dhe Kujtim Rusi 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale ”Plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim”.
Arrestimi i tyre u bë pasi në vijim të veprimeve të thelluara hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ka rezultuar se: Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, në ambientet e një karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, shtetasi kosovar Migjen Mulaj pas një konflikti të çastit për motive të dobëta që ka patur me dy shtetasit shqiptarë Nikoll Sokoli dhe Kujtim Rusi (punonjës pranë këtij karburanti), i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që t’i përplasë duke u rrezikuar jetën.
Si pasojë e tentativës me automjet, shtetasi Migjen Mulaj është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar.
Në vijim të konfliktit, dy punonjësit e karburantit e kanë goditur shtetasin Migjen Mulaj me mjete të forta në trup (shkopinj) duke i shkaktuar dëmtime fizike, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në spital për ndihmë mjekësore, ndodhet edhe shtetasi Nikoll Sokoli i cili ka marrë gjithashtu dëmtime fizike, por jashtë rrezikut për jetën.