Policia e Tiranës ka zbardhur shkakun e dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se avokati u godit për shkak të detyrës.
Sipas tij, avokati Sokol Mëngjesi ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij.
Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore.
Policia bëri të ditur se autorët e dhunës ndaj avokatit janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërsa një person i katërt i quajtur Romario Tabaku ka ndihmuar autorët e dyshuar për t’i larguar nga vendngjarja me makinën Audi me targa AB696JT.
Ndërsa si organizator, Policia e Tiranës dyshon të jetë Dritan Nano 58 vjeç të cilin e ka shoqëruar me iniciativë.
Vocaj u bëri thirrje qytetarëve që të japin informacione nëse kanë dijeni për vendndodhjen e autorëve të dyshuar dhe ka vënë në dispozicion 20 mijë Euro shpërblim.
Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës e ka referuar dosjen në Prokurori për akuzën e vrasjes së funksionarëve publik të mbetur në tentativë.
Ndërkohë, teksa Tonin Vocaj ishte në konferencë shtypi, njëri nga autorët e dyshuar, Dorian Alia 32 vjeç u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.