Aktualitet Policia zbardh vrasjen e Saimir Jakut: Atentat me pagesë i porositur nga...

Policia zbardh vrasjen e Saimir Jakut: Atentat me pagesë i porositur nga një grup kriminal në Lezhë

40-vjeçari Dorian Keqi, i lindur në Kurbin dhe banues në Krujë, është arrestuar në lidhje me vrasjen e ish-Drejtorit të Tensionit të Lartë për zonën e Veriut, Saimir Jaku. Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë që ndodhi më 9 Shtator 2016 në Rrëshen.

Sipas uniformave blu, 40-vjeçari, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin kundrejt pagesës. Po ashtu, policia thotë se ka identifikuar porositësit, të cilët dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun e Lezhës. Autoritetet i kanë identifikuar ata dhe i kanë vënë nën hetim, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëjnë publike të dhëna të tjera.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje”.

40 vjeçari, akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarit, në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.

Saimir Jaku, 33-vjeç, ish-Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut u vra me armë zjarri më 9 Shtator 2016. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur edhe Gjergj Prenga, 50 – vjeç, i cili ndodhej në tavolinë me viktimën në momentin kur ndodhi vrasja.

Kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët qëlluan me breshëri automatiku ndaj 33 – vjeçarit Jaku, i cili qëndronte në ambientin e jashtëm të një lokali në qytetin e Rrëshenit, vetëm 20 metra larg komisariatit të policisë.

Menjëherë pas krimit, autorët u larguan nga vendngjarja me një mjet që ishte parkuar jo larg lokalit ku u krye edhe ekzekutimi. Mësohet se Jaku ishte shkarkuar vetëm një javë para ekzekutimit nga detyra.

Vite më parë, ai kishte qenë emigrant në disa shtete të ndryshme të Europës.