Politika Politikani në dosjen e Sigurimit të Shtetit, Nikolla: Rast tronditës, Kuvendi duhet...

Politikani në dosjen e Sigurimit të Shtetit, Nikolla: Rast tronditës, Kuvendi duhet të reagojë

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, ka zhvilluar një deklaratë për mediat këtë të mërkurë ku ka thënë se është informuar nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit për rastin e një politikani të lartë me iniciale I.M që ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të shtetit në kohën e komunizmit.

Nikolla tha se ky rast është tronditës dhe Kuvendi duhet që të reagojë patjetër. Prandaj për këtë arsye tha se ka thirrur ditën e sotme për t’i informuar kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e Komisionit të Sigurisë dhe të Ligjeve. Ajo u shpreh se i ka informuar ata mbi identitetin e politikanit dhe se ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politikë do të kenë nevojë.

“Dje Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit ka informuar publikun për rastin e një politikani me profil të lartë me inicialet I.M që ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit. Autoriteti i Dosjeve ka nisur gjithashtu një letër në drejtimin tim, ku më vë në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi në mënyrë të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin. Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet që të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e Komisionit të Sigurisë dhe Ligjeve të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me iniciale I.M si dhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë. Dua të falenderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë, të pavarur dhe profesional si dhe për kurajon me adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Me respekt të ligjit dhe ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës nuk mund të flas më shumë në këtë fazë, faleminderit”, u shpreh Nikolla.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla zhvilloi disa takime me krerët e grupeve parlamentare një ditë pasi Autoriteti i Dosjeve njoftoi institucionin që ajo drejton se “një personazh me profil të lartë politik me inicialet I.M., rezulton ish-bashkëpunëtor i sigurimit”.

Nikolla ka takuar kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën, Enkelejd Alibeajn dhe Fatmir Mediun.

Një ditë më parë, Autoriteti i kërkoi Kuvendit që të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen pavarësisht se në të shkuarën mund të kenë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti nënvizoi se politikanët dhe ata që kërkojnë të zgjidhen apo emërohen në detyra të larta shtetërore arrijnë t’i shmangen kontrollit të pastërtisë së figurës së tyre nëse më parë kanë kaluar filtrin e komisioneve të ngjashme Mezini dhe më pas Bezhani.

Kjo klauzolë i jep legjitimitet mos kontrollit të hollësishëm të dosjeve dhe mbrojtjen e shumë politikanëve të lartë që kanë qenë pjesë e strukturave ose bashkëpunëtorë në ish-Sigurimin e Shtetit.